- Nga Salih Mehmeti
12 korrik 1928. Nji ditë ku vera mesdhetare përvëlonte si saç mbi Tiranën, në pazar po vërehej njifarë lëvizje e pazakonshme.
Mes shikimeve gapërruese të hallkut, si nja pesëdhjetë xhandarë po i sillnin pranë trekamshave tre të dënuem me vdekje. Nji tregtar shqiptar e dy bullgarë, me çehre prej meiti.
As turma që po shtohej në numër dhe as historianët sot, nuk e dijnë nëse tre personat në fjalë, kryen ndonji krim. Zyrtarisht u tha se të pandehunit kishin shestue vrasjen e Zogut, kur ky do ta vizitonte Durrësin. Nuk dihet nëse këtu pat gisht Hasan Prishtina, apo vetë Zogu, por dihet që taksirati i nxuni këta tre.
Kur i erdh rendi varjes së fatziut me mbiemnin Georgief, ndodhi nji gabim trashanik. Trupi gjigant i bullgarit e theu trekamshin sapo u tërhjek froni poshtë kamve. Xhandarët e ngritën rish dhe veç mas nja 40 minutave, fatziu dha shpirt.
Por, në ato moment turma e pazarit ngarendi si e çmendun mbi trupin e bullgarit, tu u mundue secili me e marrë ka nji copë të konopit. Sipas fiqirit të njeriut mesatar shqiptar, ky konop, që u këput para se me u vjerrë bullgari, sillte nafakë për secilin. Hajmali, hesapi!
Me këtë popull të zbërdhulun prej supersticioni e analfabetizmi, Zogu asokohe po rrekej me e ravijëzue në hartë Shqipnínë.
13 vjet ma vonë, mu në gjirin e këtij populli me hajmalia, rruza e marifete hoxhallarësh, dy jugosllavë, Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi e krijuen nji parti komuniste shqiptare. Ajo do të sundonte efektivisht deri me 1992…/Konica.al