Gjatë ketyre viteve shpesh e kemi parë Gjirokastren pre e propogandës së “Rilindjes”!
Të krijohej përshtypja se, shtëpitë hijerënda produkt mendjesh të bukura nder shekuj ti kishte ndërtuar Edi Rama me dorën e tij, kalldremet shtruar nga ministrat, dhe perdet tezja me doren e saj të artë ti kishte qëndisur!
Në “Qafë të Pazarit”, aty ku kryqëzohej individi me kohën i kishim parë buzëmbrëmjesh me banderolat rozë ku pak a shumë na thuhej se, qytetërimi i ri po ngrihej duke mbrojtur të vjetrin.
Gënjeshtra tani si zonjë bordelloje ja bën me sy kujtëdo, të paktë janë ata që joshjen e saj refuzojnë!
Rrugë e shkurtër është ajo!
Qyteti i Kadaresë nga ku letersia shqipe nisi udhën nga moderniteti e bashkëkohësia, pikërisht tek ajo perqendim ngrehinash unike, ku “pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine”, ishte i mbuluar me pluhur!
Kudo pluhur, shumë pluhur, oh sa pluhur nga qendra për tek shtëpia e shkrimtarit të madh e cila rrinte mbyllur si përgenjështrim
ndaj axhit -propit!
Gjuha mbështillej si në llaç me çimento nga përzierja e pështymës, me pluhur lëvizte ngadalë duke ndjellur përtesë e heshtje.
Shtëpitë e mëdha monumentale po rrënoheshin për të na hequr nga krenaria një madhështi të pamerituar nga ne të këtyre dekadave.
Diku me zunë sytë Artan Lamen, një sqimetar të trashigimisë historike , ecte i hutuar dhe me gjasë i njëjti peshtjellim i ishte rrasur në mendje.
Me dorë fshinte djersët dhe pluhurin bashkuar me to se, vapa kishte rënë e plotë mbi gur.
Rrugët shfaqeshin dhimbshëm, në shumicë të prishura prej të cilave shtëllunga tymi të qerasnin orë e çast. Makinat ecnin jo ngadalë për ti lëkundur edhe më tepër ato copa guri që rrotulloheshin si shpirtrat në varr.
Restorantet bosh, tregetarët ankoheshin! Askund nuk gjeje një kosh për të hedhur mbeturinat.
Në sheshin e Çerçizit prej vitesh ishte hapur një gropë që duhej të ishte kthyer në parking të nëndheshem por ende çdo gjë ishte mbi dhe. Data e përfundimit ishte fshehur nga shtati i asaj që dikur kishte qënë pishë, tanimë ngjyrë pluhur.
Pyeta një punëtor, “kur mbaron kjo bina”?
Me pa njëherë me qesendi sikur të kisha zbritur nga hëna dhe mu gjegj, “ç’thua more jaran, ka ndonjë gjë në anet tona që ka mbaruar në kohë që të mbarojë kjo?! Pastaj tha duke me shkelur syrin, “ja aty sipër kemi konsullatën greke dhe çoku bam-bum me çekiç i bëjmë zhurmë se ne jemi patriotë të mëdhenjë”!
Ngrita sytë dhe aty vërtetë valvitej flamuri helenik i zyrës diplomatike.
Kur në rrëzë zbrita, pashë këpucët e pantallonat të cilat ngjanin me ato të një bojaxhiu pas disa oresh punë e mundim. Kjo ishte Gjirokastra sot, më 21 Maj në vitin e 9-të të Edi Rames Hyqymet.
Shënim: Në foto, shtëpia muze e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.
Nga Agron Gjekmarkaj
Gjirokastra si mu duk ?!
21.05.2022 - 16:11