MENU
klinika

Përdhunuan dhe vranë studenten greke

Gjykata e Athinës lë në burg përjetë shqiptarin dhe grekun

20.05.2022 - 09:52

Gjykata e Apelit në Athinë nuk ka pranuar kërkesën për lehtësim dënimi për shqiptarin dhe grekun që akuzohen për përdhunimin dhe vrasjen e studentes greke, Eleni Topaloudi. 21-vjeçarja u gjet e vdekur në ujërat e Rodosit në vitin 2018.

Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë për burgim të përjetshëm për vrasjen e studentes dhe 15 vite burg për përdhunimin e saj. Gjatë seancës, dy të rinjtë kërkuan falje dhe ia hidhnin fajin njëri-tjetrit

Ndërsa prokuroria insistonte se viktima ka kundërshtuar me forcë përdhunimin dhe dy të rinjtë e vranë për t’i mbyllur gojën.

 Eleni Topalaudi u vra mbrëmjen e 28 Nëntorit 2018 nga dy të rinjtë, 21-vjeçari grek Manolis Koukouras dhe 20-vjeçari shqiptar Aleksandër Luca. Aleksandër Luca dhe Manolis Koukouras akuzojnë njëri-tjetrin për vrasjen e 21-vjeçares mbrëmjen e 28 Nëntorit.

Dy të akuzuarit për vrasjen e Eleni Topaloudit nuk kanë asnjë kontakt me njëri-tjetrin. Shqiptari akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e studentes greke në bashkëpunim me një mikun e tij 21-vjeçar. Eleni ishte e dashura e Aleksandër Lucës, por ky i fundit, sipas mediave greke i kërkoi që të kryente marrëdhënie edhe me shokun e tij. Kur hasën në rezistencën e studentes, miku i shqiptarit e qëlloi atë me shufër hekuri në kokë dhe më pas e hodhën atë në det. Nga goditjet, studentes greke i ishte këputur edhe veshi i majtë. Policia greke sqaroi se sipas ekspertizës vajza kishte qenë e gjallë kur u hodh në det.