Me kërkesë të Brukselit për formimin e instrumenteve kundër korrupsionit, shumica qeverisëse do të ndryshojë ligjin për auditimin e brendshëm në institucionet vendore dhe qendrore. Nisma ligjore që pritet të miratohet nga qeveria dhe më pas nga Kuvendi, fuqizon rolin e ministrit të Financave, në rastin konkret të Delina Ibrahimajt, duke i dhënë fuqi që të bllokojë buxhetin e çdo institucioni nëse titullari shmang dhe nuk zbaton ligjin për auditimin e brendshëm. Nëse kërkesat e ligjit nuk zbatohet nga drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm, ministri i Financave i propozon titullarit të institucionit fillimin e procedurave disiplinore ndaj tij.
Drafti parashikon gjithashtu që ministri përgjegjës për financat jep pëlqimin me shkrim për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të njësive të auditimit të brendshëm. Ky qartësim pritet të rrisë pavarësisë e drejtuesve të njësive të kontrollit nga ministrat, drejtorët dhe kryebashkiakët. Një nen i veçantë është shtuar, duke detyruar titullarët e institucioneve që të krijojnë një sistem për parandalimin e parregullsive dhe mashtrimeve. Audituesit e brendshëm informojnë për çdo parregullsi ose mashtrim të mundshëm titullarin e njësisë publike dhe nëse e konsideron të dobishme, organet kompetente.
Pas pranimit të raportit për konstatimin e parregullsive, mashtrimeve dhe korrupsionit, titullari i njësisë publike, ndërmerr të gjitha masat e nevojshme dhe informon organet kompetente”, thuhet në ndryshimet ligjore.
Në rast se titullari i njësisë së audituar nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme pas informacionit, drejtuesi i auditimit të brendshëm do të informojë dhe strukturën përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm në ministrinë për financat.
Për ndryshimet ligjore janë marrë parasysh edhe disa rekomandime të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjatë auditimit të institucioneve publike në nivel qendror dhe vendorë, KLSH-ja konstatuar mungesën e funksionimit të auditit të brendshëm.