“Një festë shqiptare, një festë italiane”. Kështu shkruan Corriere Dello Sport pas një interviste me kryeministrin Edi Rama në lidhje me ndeshjen finale të Conference League. Prej muajsh, Tirana po përgatitet për finalen, shkruan Corriere.
Të mërkurën, ditën e ndeshjes do të mbyllen të gjitha zyrat publike, për të lehtësuar organizimin dhe menaxhimin e eventit. Në intervistën që i kanë marrë kryeministrit Rama, Corriere shkruan se ai është i emocionuar. Javën e kaluar në profilin e tij në Instagram, ai postoi fotografinë e shallit të “Romës” ngjitur në kangjellat e stadiumit, për të kuptuar se njerëzit e tij e kanë zgjedhur se cilën anë do të mbështesin.
“Kam gjak italian, gjyshja ime kishte gjak venecian. Falë saj, kam mundur që të mësoj gjuhën tuaj. Për mua, italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Jemi me të vërtetë të ngjashëm në kulturë dhe mentaliteti”, është shprehur Rama.
Intervista e plotë:
Kryeministër, kjo finale është një mundësi e madhe për Shqipërinë.
Edi Rama: Është e vërtetë. Përsa i përket imazhit, është një ngjarje e bujshme. Por për ne është edhe krenari të presim këtë finale. Deri para disa vitesh Kombëtarja jonë nuk mund të luante në Tiranë sepse kishte një stadium të vjetër që nuk përmbushte standardet ndërkombëtare. Tani kryeqyteti po pret për herë të parë një finale evropiane.
Çfarë atmosfere është, pak ditë para ndeshjes?
“E pabesueshme. Dhe do të jetë më e nxehtë nga tani deri të mërkurën. Ne do të jemi në lartësinë e duhur”.
Ka shqetësime sigurie, pasi shumë tifozë italianë dhe hollandezë kanë mbërritur pa bileta.
“Jemi organizuar. Ata që nuk mund të hyjnë në stadium do të mund ta ndjekin ndeshjen në dy fan-zone për tifozeritë. I kërkova ndihmë policisë në Romë dhe Roterdam, të gjithë po punojnë fort për të ofruar mbështetje”.
Tirana, edhe në mandatin tuaj si kryetar bashkie, ka evoluar shumë në dekadat e fundit.
“Po përjetojmë një periudhë zhvillimi të madh, pas zbehjes së tmerrshme të epokës komuniste dhe kaosit urban që pasoi. Të gjithë ata që vijnë për të na vizituar janë të befasuar dhe duan të kthehen në Shqipëri”.
Është e vërtetë që jeni tifoz i “Juventusit”?
“Po, që kur isha fëmijë. Por tani që “Roma” drejtohet nga Mourinho, është e vështirë për mua të zgjedh. Unë isha i magjepsur prej tij kur ishte në Inter, aq sa në atë kohë më bëri të tradhtoja pak “Juventusin”… E vërteta është se, unë nuk jam ekspert futbolli. Unë jam më i interesuar, për trajnerët: prej tyre mund të mësoj karizmën, udhëheqjen, aftësinë për të menaxhuar një grup”.
Të mërkurën, fiton Roma?
“Mendoj se Feyenoord, ka më pak shanse për të marrë kupën, si të thuash… Hollandezët, do të luajnë jashtë shtëpisë, sepse Tirana është një Romë e vogël. Të gjithë shqiptarët, do të bëjnë tifo për ‘Romën”.
Dhe ndoshta, për Marash Kumbullën, i cili është shqiptar?
“Unë nuk e njoh personalisht, por të gjithë flasin mirë për të. Dhe nuk është një gjë e parëndësishme në Shqipëri, që të bien dakord të gjithë. Marashi është flamuri ynë dhe është një lojtar i fortë. Ai ishte shumë i mirë për ta bërë Jose-n të ndryshonte mendje, duke fituar gradualisht hapësirë”.
Çfarë do t’i rekomandonit ‘Juventusit’ “tuaj”, për t’u bërë sërish i madh?
“Nëse do të mund të jepja një këshillë, do të bëhesha anëtar i shoqatës së trajnerëve të njohur ,që keni në Itali… Por, ajo që ndodhi më parë, më dukej anormale: domethënë, ‘Juve’ fiton gjithmonë”.
Allegri?
“I madh. Por, po aq i madh ishte basti për ta rikthyer atë te ‘Juventusi’. Rikthimet, janë gjithmonë të komplikuara”.