Kjo javë do të jetë e mbushur me çështje politike për Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO).
Janë katër deputetë të Partisë Demokratike Edi Paloka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Gazment Bardhi që pritet të paraqiten në gjykatë për çështje të ndryshme.
Të martën në orën 10:00 në gjykatë do të paraqitet deputeti i PD Gazment Bardhi. Ndërsa në orën 14:00 do të jetë Edi Paloka ai që do të dalë para gjyqtares Irena Gjoka.
Ndërkohë që të premten në orën 12:00, janë caktuar dy seancat për Albana Vokshi ku gjyqtare është caktuar Atalanta Zeqiraj dhe Belind Këlliçi ku gjyqtar është Erjon Çela.
Të premten është njoftuar edhe seanca për ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe dhe personat e tjerë të arrestuar nga policia për bashkëpunim në abuzimet me tenderat.
Gjatë kësaj jave janë njoftuar një sërë çështjesh të rëndësishme për t’u shqyrtuar nga GJKKO. Nesër në orën 09:00 gjykata do të ketë seancë për të akuzuarit në lidhje me grabitjen e Rinasi Klement Çala, Eldi Çala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli, Talo Çela dhe Alkond Bengasi.
Në të njëjtën orë do të mbahet edhe seanca për të arrestuarit në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës Altin Ndoci, Klevis Alla, Besian Xhixha, Enver Diva.