Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka konfirmuar se nesër shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell do të shtrojë një darkë joformale në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor.
Stano është shprehur se gjatë darkës do të diskutohet për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet ai.
“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, vazhdon me traditën e ftuarjes së liderëve nga Ballkani Perëndimor për një darkë joformale dy herë në vit për të diskutuar të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet. Kjo përfshin situatën në rajon dhe në marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, pritshmëritë për anëtarësimin në BE dhe kontekstin më të gjerë gjeopolitik. Zakonisht pjesëmarrja është në nivelin e liderëve (Presidentëve) ose Kryeministrave.
Darka e mëparshme joformale u zhvillua në shtator 2021 në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe e para nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte vitin e kaluar më 18 maj (2021). Darka tjetër joformale do të mbahet në Bruksel nesër, e mërkurë, në mbrëmje”, tha Stano në një përgjigje me shkrim për Express.
Megjithëse pjesëmarrja në darkë është në nivel të presidentëve apo kryeministrave nuk dihet nëse Kurti apo Osmani do të jenë të pranishëm pasi të dy ndodhen në Amerikë.
Ndërkaq, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm nesër në Bruksel me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell.