MENU
klinika

Kritika të forta ndaj Berishës

“Këshilli Kombëtar me familjarët e tij”/ Kulluri: Vetëm nga 2 familje, rreth 13 anëtarë

01.05.2022 - 21:23

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kullur, ka kritikuar jo pak Këshillin e Sali Berishës të dalë nga Kuvendi i 30 prillit, e duke e cilësuar atë si ‘familjar’.

Me një postim në Facebook, Kulluri ironizon, ku ndërsa i referohet Berishës dhe Rithemelimit si ‘konservatorë’, shkruan se ata mbështeten pikërisht te vlerat e familjes dhe se këtë parim e kanë përmbushur. Sipas Kullurit, vetëm nga 2 familje ka rreth 13 anëtarë të Këshillit Kombëtar.

“Meqenëse konservatorizmi mbështetet fort tek vlerat e familjes, Këshilli Kombëtar i dalë dje nga Kuvendi e përmbushi plotësisht këtë parim! Vetëm nga 2 familje ka rreth 13 anëtarë të Këshillit Kombëtar! Urime dhe përpara drejt fitores kundër regjimit të Edi Ramës!”, shkruan ai.

Kuvendi Kombëtar, i thirrur nga Sali Berisha një ditë më parë, zgjodhi 150 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së, që u bënë me dije sot nga Albana Vokshi, e cila tha se 75 prej tyre janë anëtarë të Forumit të Gruas si dhe të Forumit Rinor të PD-së.

Veç Berishës, i cili është automatikisht anëtar i Këshillit, në listë janë edhe dhëndri e tij, Jamarbër Malltezin, nipi Sevalgon Berisha dhe kushëriri Mal Berisha. Po ashtu pjesë e këtij Këshilli janë edhe dy fëmijët e Fahri Balliut, Klevis dhe Megi Balliu.

Menjëherë sapo të konstituohet, Këshilli i PD, duhet të zgjedhë kryetarin e Këshillit, mes dy kandidaturash që do të propozohen nga Rithemelimi. Po ashtu para 22 majit, Këshilli duhet të zgjedhë edhe kryesinë e re të PD.

Një ditë më parë, Sali Berisha i la detyrë që Këshilli Kombëtar të zgjedhë edhe zëvendësuesin e Enkelejd Alibeajt, të cilin e shkarkoi nga posti i kreut të grupit, pavarësisht se ky i fundit dhe grupi i tij nuk njohin asnjë vendim të Sali Berishës.