MENU
klinika

Çfarë shërbimesh do të transferohen nga Porti i Vlorës

Kontrata për koncesionin e triportit/ Investimi, 40 mln euro

12.05.2022 - 13:01

6 muaj pas shpalljes së fituesit, qeveria ka miratuar kontratën e koncesionit për portin e integruar të Triportit në Vlorë, duke i hapur rrugë zbatimit të saj. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që referuar garës së zhvilluar vlera e kontratës ka një vlerë prej 40 mln euro. Konsorciumi, që do të kryejë investimin përbëhet nga 5 kompani, teksa në garën e partenritetit publik-privat morën pjesë edhe 2 kompani të tjera që u skualifikuar.

Një prej tyre paraqiti ofertë më të ulët se konsorciumi fitues, por u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret e vendosur, ndërsa kompania tjetër nuk paraqiti fare ofertë. Gara e partneritetit publik privat për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e portit të integruar të Triportit në Vlorë u hap në fillim të muajit gusht të vitit të kaluar, teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë parashikonte një vlerë projekti prej 44.9 mln Euro.

Në dokumentet e tenderit specifikohej se pagesat e disponueshmërisë do të fillojnë të paguhen pas ndërtimit të plotë dhe dorëzimit përfundimtar të objektit dhe jo më parë se viti 2025, teksa kontrata e PPP-së do të ketë një kohëzgjatje prej 10 vitesh. Porti i Integruar ne Triport, Vlorë parashikohet të ndërtohet aty ku aktualisht është porti i peshkimit të këtij qyteti që quhet “Triport”. Ai ndodhet rreth 3 km në veri të Portit të Vlorës, midis terminalit privat të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj “Petrolifera Italo-Albanese”, TEC Vlorë dhe Parkut Industrial Vlorë.

Porti aktual është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e brendshme ofron kapacitete për shërbimin e anijeve të peshkimit. Sipas dokumenteve të tenderit, në këtë pjesë porti është i mbrojtur nga të gjitha anët me dallgëthyes dhe infrastruktura është e amortizuar, duke kërkuar masa emergjente për përmirësime. Ndërkohë që, pjesa e jashtme e portit të peshkimit, është hapësirë e fituar pas ndërtimit të dallgëthyesit. Në zbatim të Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit në këtë port do të transferohen nga Porti i Vlorës edhe dy shërbime të tjera të cilat janë: Transporti ndërkombëtar i pasagjerëve dhe automjeteve dhe transporti kombëtar e ndërkombëtar i mallrave.