Në fillim të takimit të samitit në Bruksel, Olaf Scholz ishte jashtëzakonisht i hapur për të folur dhe optimist. Evropa tashmë ka treguar se mund t’i kundërvihet bashkarisht agresionit rus në Ukrainë dhe ai ka besim se kështu do të vazhdojë, deklaroi kancelari. Kështu ai kundërshton ata që duan të shohin çarje të thelluara në unitetin evropian.
Scholz madje ishte optimist për arritjen e një kompromisi për embargon e naftës.
Po një vështrim në shtypin ndërkombëtar duhet ta ketë habitur Olaf Scholz-in. Gazeta britanike “The Times” shkruan në kryeartikullin e së hënës se Gjermania duket se është humbësja e qartë në arenën diplomatike. Ngurrimi i Gjermanisë për t’i ofruar armë dhe ndihmë Kiev-itdhe paqartësia e saj në lidhje me kushtet e një armëpushimi dhe përfundimin e luftës janë bërë burim zhgënjimi për aleatët dhe shumë gjermanë. Po sipas “The Times” mungesa e një udhëheqjeje të vendosur në Berlin e trimëron Putinin dhe mesazhet kontradiktore për Ukrainën e kanë përkeqësuar situatën e sigurisë.
Komente kritike dhe tone të mprehta
Komente të ngjashme kritike mund të lexosh edhe në media të tjera me ndikim ose të dëgjosh në thinktank-et ndërkombëtare. “Në fillim të kësaj krize, strategjia e Olaf Scholz-it dukej se ishte të bënte sa më pak që të ishte e mundur dhe sa më vonë që të ishte e mundur për të mos përfunduar në anën e gabuar të historisë”, kritikon Jessica Berlin nga Fondi Gjerman Marshall.
Presidenti polak Andrzej Duda, nga ana tjetër, pyeti publikisht pse nuk funksionon shkëmbimi i unazave të tankeve që Varshava i kishte dorëzuar Ukrainës, kur Gjermania kishte premtuar në Poloni se do të dërgonte pjesë këmbimi.
Tone të mprehta kundër kancelarit vijnë edhe nga Parlamenti Evropian: “Unë pres një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga një Gjermani demokratike. Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, është përgjegjësia e saj të marrë drejtimin për të ndihmuar Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht”, shkroi në Twitter deputeti liberal dhe ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt.
Klimë e vështirë diskutimesh
Në këtë klimë Olaf Scholz do ta ketë të vështirë të ndjekë qëllimet e tij në diskutimet e samitit mbi politikën e përbashkët të Ukrainës apo edhe të luajë rolin e ndërmjetësit midis kampeve të mëdha në BE.
Takimi i posaçëm i kësaj jave synon të përgatisë terrenin për samitin e rregullt në fund të qershorit, në të cilin më pas do të merren vendimet themelore. Kjo përfshin çështjen e anëtarësimit të Ukrainës. A duhet që Ukrainës t’i jepet të paktën statusi i kandidatit apo jo? Franca dhe Holanda, për shembull, janë kundër kësaj, kurse shumë europiano-lindorë e mbështesin kërkesën e Kievit. “Statusi i kandidatit është një vendim politik”, thotë letonezi Karins. Ai nuk të detyron të pranohesh dhe është një sinjal. BE-ja duhet të jetë e hapur për anëtarët e rinj. Por duke qenë se këtu ka edhe unanimitet, aktualisht nuk duket si një vendim pozitiv.
Kryeministri letonez kujtoi se thelbi i problemeve është se “ne ngecim në detaje dhe harrojmë pamjen e madhe: Ukraina po lufton për vlerat tona (…) dhe ne duhet t’i mbështesim ato.” Por kjo përfshin pyetjen e hapur se si duhet të duket fundi i lojës. Tri vendet e mëdha Franca, Gjermania dhe Italia duan një zgjidhje paqeje së shpejti, edhe nëse Ukraina duhet të heqë dorë nga disa territore të saj. Kurse Polonia dhe vendet baltike janë kritikët më të mëdhenj të propozimeve për të pranuar humbje territoriale për hir të një marrëveshjeje dhe një armëpushimi me Presidentin Putin. Evropiano-lindorët dhe SHBA-të duan të vazhdojnë luftën derisa Rusia të dobësohet në mënyrë vendimtare. Kjo kontradiktë themelore ka të ngjarë të vërë unitetin e BE-së në një provë të rëndë muajt e ardhshëm./DW/