Shtyhet sërish festa e titullit për Tiranën. Kësaj here është Teuta që merr një barazim 1-1 në “Selman Stërmasi” ndaj bardhebluve, që ndoshta do të shpallen kampion në derbi ndaj Partizanin të shtunën.
Ndeshja do të zhbllokohej në minutën e 40-të. Vesel Limaj mori një pasim në qendër nga Totre dhe me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës mposht Qirkon dhe 1-0 për Tiranën.
Teuta reagoi në pjesën e dytë dhe gjeti golin e barazimit me Plakun në minutën e 73‘. Sulmuesi përfitoi pas një harkimi të Vilës dhe goditi saktë me kokë. Ndeshja ishte e hapur deri në fund, por nuk pati më gola, mbyllet 1-1. Pikëme vlerë për durrsakët, që i shmangen edhe më shumë zonës play-out.
Në fakt, festën e Tiranës e shtyu edhe Laçi, që fitoi 2-0 në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Ishte Guindo që shënoi të dy golat e kurbinasve, që merr kreun e shënuesve më të mirë me 16 gola, një më shumë se Seferi i Tiranës.
Ndërsa Skënderbeu mposhti 2-0 Kastriotin, me krutanët që vinin në këtë sfidë pas 7 fitoreve radhazi. Ky rezultat ngjiti Skënderbeun në vend të parafundit, duke qëndruar ende matematikisht në Superligë.