Ajo që ndodhi në mbledhjen e katër Grupeve Parlamentare ditën e sotme vë akoma në pah përçarjen mes opozitës.” Kështu është shprehur analisti Mentor Nazarko në ABC Live ndërsa komentonte zhvillimet e fundit nga Kryesia e Kuvendit.
Nazarko theksoi se brenda opozitës duket qartë që nuk ka një mendim unik, dhe kjo vihet akoma më shumë në pah nga lloji i procesit që po ndiqet për propozimin e kandidatëve. Sipas tij, opozita formale nuk po sjellë asgjë të re, e reja do të ishte nëse do të kishin ardhur me emra.
“Propozimi i emrave do të ishte një mënyrë që opozita të fitonte një simpati të caktuar për opozitën. Kur digjet raundi, apo thua deri tek i dyti apo i treti mund të propozosh, kjo ul kredencialet e opozitës. Kriza brenda opozitës duket akoma më shumë. Brenda opozitës nuk ka një mendim unik sesi duhet të vijohet me këtë proces. Mund të ishte menduar më përpara.”
Analisti sugjeroi se zgjidhja më e mirë do të ishte që kush të kishte dëshirë, ashtu siç ndodh në Amerikë, të shpalosë një platformë me anë të të cilës të bindë deputetët për të siguruar 20 firma.
“Zgjidhja kushtetuese është zgjidhja më e mirë. 20 deputetë për të propozuar një kandidaturë për president. Kush ka dëshirë, mund të lobojë, të shpallë një platformë dhe t’i marrë këto 20 firma. Zgjidhja kushtetuese gjen një emërues të përbashkët të të gjitha palëve.”
Ajo që po ndodh tani, sipas Nazarkos, është një proces i improvizuar dhe një tallje me emrat që do të propozohen. Ai e cilësoi rrugën që po ndiqet si një “manovër” të mazhorancës për të bërë qetësisht atë që do.
Kritika ka edhe për opozitën e përfaqësuar nga Alibeaj, që sipas Nazarkos, duket sikur është bashkëbiseduese në negociata, por po qëndron pasive.
“Alibeaj është jurist, çudi që vijohet të përsëritet e njëjta histori. Kjo pjesë e opozitës është pasive. Duket sikur është e vetmja bashkëbiseduese, por nuk po sjell asnjë gjë të re në proces. Nëse do të kishin emra, kjo do të ishte gjë re. Duket sikur është rënë dakord, të shohim çfarë emrash do të propozojnë.”
Megjithatë, duke sjellë në vëmendje se kryeministri Rama është një njeri i surprizave, Nazarko thotë që nuk mund të përjashtohet mundësia që kreu i qeverisë të propozojë veten e tij për postin e kreut të ri të shtetit.
“Ka një skenar që ai mund të preferojë që të zgjedhë edhe vetën e tij. E ka menduar idenë që të tërhiqej nga jeta ekzekutive e pastaj të merrej me diçka tjetër. Nuk është surprizë ideja e tërheqjes. Tërheqja tani, një mënyrë që me këtë autoritet që ka të vijojë të kontrollojë PS-në. E lodh monotonia…Do të ishte vazhdim i projekteve me të cilat do të lërë gjurmë në histori. Do t’ia ruante atë auorën ndërkombëtare që ka qejf. Ndoshta është një hipotezë intriguese për drejtimin që mund të marrë zgjedhja e presidentit në vend.”