MENU
klinika

Restaurohet Zografi

Nga shekulli XVIII… Shën e Premtja me Katër Shenjtorë

17.05.2022 - 11:42

          Rikthehet e shndritshme ikona  “Shën e Premtja me 4 shenjtorë”. Kjo pasuri e trashëgimisë kulturore, mban emrin e Kostandin Zografit dhe pas një pune imtësisht delikate dhe plot pasion nga specialistët, vepra e artit del nga laboratori i restaurimit, sikur bën me dije DRTK, Berat.

Ikona u gjet në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Vanaj të Fierit.

Shën Kolli është një ndër shenjtorët më të njohur, si për Kishën Katolike Perëndimore, por edhe për Kishën Lindore Ortodokse. Kulti i këtij shenjtori daton që në shek. VI ndaj edhe trojet shqiptare nuk përjashtohen për shkak të besimit dhe devotshmërisë së vjetër ndaj Krishtërimit.


Zografi

Përfaqësues të denjë të Shkollës korçare të ikonografisë janë edhe piktorët e familjes Zografi, të cilët ishin nga Potkozhani i Mokrës. Këta mjeshtra mendohet se e kanë filluar aktivitetin e tyre në vitin 1744. Në punimet e tyre përveç traditës vendase paraqesin ndikime nga ikonografia e Malit Athos, si dhe prirje drejt stilit barok. Vëllezërit ikonografë Kostandin dhe Athanas Zografi mbiemrin e parë të familjes së tyre e kanë patur Vako. Më vonë për arsye se ata ushtronin zanatin e piktorit morën mbiemrin Zografi. Ata kanë pasur veprimtarinë më të madhe nga të gjithë ikonografët e tjerë shqiptarë të mesjetës në pikturimin e ikonave të lëvizshme dhe të afreskeve murale. Krijimtaria e tyre i përket kohës nga viti 1741 deri në 1783. Data e lindjes dhe e fjetjes së tyre nuk dihet.

Vëllezërit Zografi kanë qenë ikonografë të talentuar. Përveç talentit të pikturimit ata zotëronin njohuri teologjike në dogmatikë, histori kishe, patrologji, liturgjikë etj, gjë që është pasqyruar edhe në veprat e tyre. Sipas Theofan Popës, Kostandini ka qenë shumë i njohur në Malin e Shenjtë. Kjo vërtetohet nga afresket e pikturuara prej tij në manastiret e Malit të Shenjtë, ku ka nënshkruar “Kostandin shqiptari”, ndërsa në Shqipëri ai përdorte “Zografi nga Korça”. Në krijimtarinë e tyre këta piktorë kanë pasqyruar shumë tema nga jeta e martirëve të kishës, duke theksuar më tepër ata shenjtorë që kanë përhapur Ungjillin në Shqipëri. Ndër ta mund të veçojmë Shën Joan Kukuzelin, Shën Gjon Vladimirin, Shën Naumin etj. Vëllezërit Zografi kanë pikturuar në vitin 1720 katedralen “Burimi Jetëdhënës” në Korçë, kishën “Lindja e Hyjlindëses” në manastirin e Ardenicës në 1744, kishën e Shën Thanasit në Voskopojë më 1745, kishën e dymbëdhjetë Apostujve dhe kishën e Anargjirëve në vitin 1752 në Voskopojë etj.

Ikonografët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi kanë udhëtuar tri herë drejt Greqisë, ku kanë pikturuar kishat e Malit të Shenjtë. Herën e parë ata kanë qëndruar nga viti 1755 deri në 1757, ndërsa gjatë udhëtimit të dytë prej 1765-1766 dhe të tretën herë në vitin 1783. Pikturat e tyre janë në Skitin e Shën Anës, të cilat kanë datën 1755, në Skitin sllav Bllagovica në vitin 1757, në kishën e manastirit të Shën Filotheut më 1765 si dhe të manastirit të Krisopotamit në vitin 1783. Gjithashtu tek pikturat murale të vëllezërve Zografi gjejmë “Shkallën e Joanit”, të cilën nuk e kemi parë tek piktorët e tjerë mesjetarë të Shqipërisë. Në krijimtarinë e tyre nuk mungojnë edhe skenat apokaliptike, si p.sh.”Ardhja e Dytë e Krishtit” etj. Në vitet e fundit të aktivitetit Kostandini ka punuar së bashku me djalin e tij Tërpon në kishën e Shën Gjergjit në Libofshë në vitin 1782. Tërpo Zografi mendohet të ketë lindur rreth vitit 1760 në qytetin e Korçës. Aktiviteti i tij në fushën e ikonografisë është i madh. Në shtator të vitit 1729 ka pikturuar afresket e kishës së Shën Kostandinit dhe Helenës në Kondas të Beratit. Në muajin mars të vitit 1729 pikturon po në Berat afresket e kishës Fjetja e Shën Mërisë të fshatit Vodicë. Më vonë ai ka ushtruar aktivitetin e tij në Korçë, ku më 1804 ka pikturuar ikonat e kishës së Shën Gjergjit në Plasë, ndërsa në vitin 1806 afresket e paraklisit të manastirit të Shën Naumit. Në 1807 ka pikturuar ikonën e Shën Gjergjit në kishën e Shën Kollit në Skrime, ndërsa më 1818 ikonat e ikonastasit në kishën e Shën Kostandinit në Drenovë. Po atë vit ai ka pikturuar afresket e kishës së Shën e Premtes në Përmet dhe një vit më vonë më 1819 ka pikturuar ikonën e Krishtit në kishën e Shën Kollit në fshatin Zhej të Zagorisë. Pasi ushtroi aktivitetin e tij 37-vjeçar Tërpo Zografi fjeti më 1835. Efthim Zografi ishte i biri i Athanasit, emrin e të cilit e mbajnë dy ikona që datojnë më 13 mars 1800 dhe gjenden në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shën Naumi i plaçkitur”

Është kaq afër për të mos qenë “yni”

"Ringjallja e Llazarit"

UNESCO: Zografi ekspozohet në Paris


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen