MENU
klinika

Rama ndan pamjet e bujtinës në Peshkopi

‘Një investim shqiptarësh të kthyer nga emigrimi”

13.05.2022 - 12:22

Skemat mbështetëse me grante dhe subvencione kanë sjellë zhvillimin e agroturizmit, një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga një bujtinë buzë Drinit, ndërsa kujtoi subvencionet dedikuar emigrantëve, të rinjve dhe grave, që duan të jetojnë e punojnë në fshat.

“Buzë lumit Drin, në fshatin Muhurr të Peshkopisë, një bujtinë e bukur gati të hap dyert së shpejti, falë një tjetër investimi shqiptarësh të kthyer nga emigrimi, që duke i kthyer kursimet në bujtina mikpritëse e pa taksa, në tokën e gjyshërve të tyre, nxjerrin shumë më tepër të ardhura sesa nga vazhdimi i punës për llogari të dikujt tjetër në tokë të huaj”, tha Rama.
Programi i qeverisë për bujqësinë 4 vitet e ardhshme ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

Përmes këtij programi, synohet të trashëgohen tek brezat e rinj produktet tipike të zonave gjeografike, përmes krijimit të eksperiencave pozitive që të njihen nga të gjithë.

Për këtë nxitja do të jetë reale përmes politikave mbështetëse me grante dhe subvencione dedikuar emigrantëve, të rinjve dhe grave, që duan të jetojnë e punojnë në fshat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN