Një tip obez me mbiemër Brahimllari, kushëri i familjes Meta, që e ka vënë Sekretar të Përgjithshëm të LSI, më sulmonte pas intervistës time në Top Talk ku kërkoja që drejtësia duhet t’i hetojë të gjithë, Berishën, Ramën dhe natyrisht Metën. Nga këta të tre vetëm Metën e zë purtha kur i përmend burgun, dhe më lëshoi këtë konen.
Nuk do ia vlente fare përgjigja ndaj këtij Llarit, pasi këtë e nxjerrin edhe të bëjë deklarata të tipit “LSI do të dalë forcë e parë në zgjedhje”, por është e disata herë që familja Meta shpif për mua. E filloi Monika, gjatë protestave të teatrit, ku më akuzonte se kisha shtëpi në Durrës të dhuruar nga Rama. Në fakt nuk ka shqiptar që nuk ka shtëpi aty, vetëm unë nuk kam.
Sot Llari më akuzonte se kam marrë para nga afera e inceneratorëve. Llari duke parë punëdhënësit e tij me siguri mendon që nuk ka shqiptar që nuk vjedh dhe gazetar që nuk vë gjobë. I mendojnë të gjithë si veten dhe klounët që kanë në listë pagesat e tyre.
Madje kërkon që të shkoj edhe para drejtësisë. Do ta kisha hedhur në gjyq për shpifje këtë qyp e t’i merrja ca para, por ky është tepër bedel që ta marr seriozisht.
Së fundmi, Llari merrej edhe me një deklaratën timen kur kam qenë zv/ministër Mbrojtjeje për pamundësinë e uljes së avionëve me drogë në Gjadër.
E vetmja arsye pse e citoj këtë fakt të para 8 viteve është për t’i rikujtuar se çfarë fatkeqësie janë për Shqipërinë Berisha&Meta.
Deklarata në atë kohë është bërë që të përgënjeshtronte fantazitë e Berishës që akuzonte se në Gjadër uleshin avionë reaktivë që vinin nga Kolumbia. Deklarata ishte në kuadër të deklaratave që qeveria shqiptare i bënte në unison me prononcimet e Ambasadorit të SHBA Arvizu dhe Komandës Ajrore te NATO-s se nuk ishin të vërteta akuzat e Berishës. Ishin momentet kur Shqipëria po merrte statusin e vendit kandidat në BE dhe ku Berisha sipër dhe Meta nën rrogoz po bënin çmos ta pengonin, si gjithmonë, ashtu si në ‘97-ën, në Rambuje, në braktisjen dhe kërcënimin për t’i vënë flakën vendit para tre vitesh, në çaste vendimtare për ecjen e vendit drejt evropianizimit, Berisha dhe Meta ishin aty t’i fusnin shkopinj nën rrota dhe si gjithmonë ishin aleatët tanë që përpiqeshin të na jepnin ndihmë.
E që ta mbyll me Llarin se e zgjatëm shumë, t’i thotë padronit që të shtrëngohet e nëse e sjell siraja, të mbahet mend që e përballoi burgun si burrat, pa për namin që i ngjit dora, nuk e heq dot se nuk i kanë thënë kot, “më mirë të dali syri sesa nami”. Lëre pastaj kur namin e ke të merituar.