Komisioni Evropian propozon sanksione ndaj një autoriteti fetar. Kjo, ndodh për herë të parë. Hipoteza, si pjesë e paketës së gjashtë të masave të Brukselit ndaj Moskës, në kundërpërgjigje të luftës në Ukrainë, erdhi si pasojë e deklaratave të Patriarkut Ortodoks të Moskës, Kirill.
“Ne, nuk duam të luftojmë kundër askujt. Rusia nuk ka sulmuar asnjë. Është e habitshme që, një vend i madh dhe i fuqishëm, nuk ka sulmuar kurrë, por veçse ka mbrojtur kufijtë. Dhëntë Zoti që deri në fund të këtij shekulli, vendi ynë të jetë i tillë: i fortë, i fuqishëm e në të njëjtën kohë, i dashur prej Zotit”- ishte deklarate e tij.
Mesazhi është në sintoni të plotë me bekimet e Kirillit, për luftën nga Presidenti rus Vladimir Putin, në Ukrainë. Qëndrim i përsëritur ky, që, sikurse e theksoi Papë Françesku, minoi takimin ballë për ballë në Havanë, midis dy liderëve fetarë, në vitin 2016.
Bergoglio u shpjegua qartë lidhur me vendimin e tij, për “Corriere della Sera”: “Kam biseduar me Kirillin, për 40 minuta, përmes platformës “Zoom”. Njëzet minutat e para, me një letër në dorë më lexoi të gjitha arsyetimet për luftën. E dëgjova dhe i thashë: Nuk kuptoj asgjë nga këto që thua. Vëlla, ne nuk jemi klerikë të shtetit, ne nuk mund të përdorim gjuhën e politikës, por atë të Jezusit, ne jemi barinj të të njëjtit popull të shenjtë të Zotit. Prandaj, duhet të kërkojmë rrugën e paqes, t’u japim fund luftimeve.
Patriarku, nuk mund të shndërrohet në shërbëtorin e Putinit. Unë kisha në plan të takohesha me të, në Jeruzalem, më 14 qershor. Do të ishte takimi i dytë ballë për ballë dhe nuk ka të bëjë me luftën. Por, tani edhe ai është dakord: le të mos takohemi, për momentin pasi mund të keqinterpretohet”.
E menjëhershme ishte përgjigja e Kishës Ortodokse Ruse, ndaj Komisionit Evropian. “Kirilli – tha zëdhënësi i Patriarkanës së Moskës, Vladimir Legoyda – vjen nga një familje që është shtypur për dekada, për shkak të besimit dhe pozitës së tyre morale, gjatë kohës të ateizmit militant komunist, pa pasur frikë nga burgu dhe represioni. Vetëm ata që nuk e njohin historinë e Kishës tonë, mund të besojnë se mund ta trembin klerin dhe besimtarët, duke i futur në disa lista”.
Tani për tani, askush në Vatikan nuk pranon të komentojë hipotezën e sanksioneve ndaj Patriarkut të Moskës. Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, që dikur ka qenë informator i KGB-së, ka një pasuri që i kalon 4 miliardë dollarët – akuzë që, Patriarku e ka mohuar gjithmonë. Megjithatë, ka edhe zëra se pasuria e tij mund të jetë gati dyfishi, 8 miliardë dollarë.
Këto miliarda janë grumbulluar falë përjashtimeve nga taksat shtetërore ruse. “Ai e krijoi këtë pasuri gjatë viteve 2000 – thotë gazetarja Anne-Sylvie Sprenger – kur ishte kreu i punëve të jashtme të Patriarkanës së Moskës dhe kur Iraku ishte nën embargon e SHBA-së. Në atë kohë, Rusia e mbështeti Irakun, duke i dërguar ilaçe dhe nevoja të tjera themelore.
Tregëtia e cigareve i ishte besuar Kishës Ruse, e cila merrte 1/10 e fitimeve. Në këtë mënyrë Patriarku Kirill e forcoi trashëgiminë e tij personale. Ai zotëron një shtëpi në Zvicër, në kantonin e Zyrihut, teksa që fëmijë ka qenë një skiator i apasionuar. Bashkë me vëllain e tij, që ka qenë prej kohësh përfaqësues i Patriarkanës së Moskës në Këshillin Ekumenik të Kishave, ata kanë krijuar lidhje të thella me Zvicrën. Aty duhet të ketë edhe llogari bankare”.
Ndërsa nga njëra anë, Vatikani, sigurisht që nuk mund t’i bekojë sanksionet kundër Kirillit, sidomos haptazi, pasi kjo do të shkaktonte vërtet një luftë fetare. Nga ana tjetër është e qartë se, të gjitha përpjekjet e bëra deri tani, nga Papa, për të negociuar me Patriarkun, përfundimin e konfliktit në Ukrainë, kanë dështuar. Nga këtu buron edhe vullneti i Françeskut për të biseduar drejtpërdrejt me Putinin, duke qenë se të gjithë bashkëbiseduesit e tjerë më të afërt me të, nga ambasadori rus në Selinë e Shenjtë, te ministri i Jashtëm rus e deri te Kirilli, nuk kanë mundur të mbështesin arsyetimin e tij.
Sigurisht, është një sinjal shumë shqetësues për Selinë e Shenjtë, që kreu i një kishe të krishterë, që ndan të njëjtin Ungjill me Katolicizmin, të ketë një mbështetje kaq të qartë dhe publike, për luftën në Ukrainë, madje duke mbështetur motivimet e saj.
Është shumë domethënëse ajo që Papa, i shpjegoi Patriarkut, në bisedën online, në përpjekje për ta bindur që të tërhiqej nga qasja e tij dhe të punonte me të, për paqen: “Kisha, nuk duhet të përdorë gjuhën e politikës, por gjuhën e Jezusit. Ne jemi pastorë të të njëjtit popull të shenjtë, që beson tek Zoti, Trinia e Shenjtë, tek Shën Maria. Për këtë, duhet të bashkohemi në përpjekje për paqen dhe në ndihmë të njerëzve që vuajnë, për të kërkuar rrugën e paqes dhe për t’i ndalur luftimet”.
Ndër të tjera, ai shtoi: “Ata që paguajnë faturën e luftës janë njerëzit, ushtarët rusë dhe njerëzit që bombardohen dhe vdesin. Si pastorë, ne kemi për detyrë t’u gjendemi pranë dhe t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit që vuajnë nga lufta. Dikur flitej edhe në kishat tona, për luftë të shenjtë, apo luftë të drejtë. Sot, nuk mund të flasim kështu. Është zhvilluar vetëdija e krishterë, për rëndësinë që ka paqja”.
Por, këto fjalë ranë sërish në vesh të shurdhët, duke e bindur Françeskun që ta shtynte takimin, për të mos shkaktuar ndonjë incident diplomatik, me shumë rrezik:
“Më vjen keq, që Vatikani anuloi takimin e dytë me Patriarkun Kirill, që e kishim planifikuar për në qershor, në Jeruzalem.
Ndërkaq, një takim mes nesh në këtë kohë, mund shkaktonte shumë keqkuptime. Jam gjithmonë, për dialogun ndërfetar. Kur isha kryepeshkop në Buenos Aires, të krishterë, hebrenj e myslimanë i bashkova në një dialog të frytshëm. Ishte një prej nismave, që më bën shumë krenar. Të njëjtën politikë, ndjek në Vatikan. Për mua, marrëveshja është më superiore sesa konflikti”.
Francesco Antonio Grana: “Il Fatto Quotidano”/Konica.al