MENU
klinika

Analiza

Përvoja e Evropës Lindore mund të ndihmojë në zgjerimin e BE-së

16.05.2022 - 18:55

Pavlína Janebová është drejtoreshë në Shoqatën për Çështjet Ndërkombëtare (AMO) në Pragë, Pavel Havlicek është një studiues i AMO.

Agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht kontekstin e politikës së fqinjësisë së BE-së.

Ai nxiti tre vendet e lidhura me BE – Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia – të dorëzonin aplikimet e tyre formale për t’u bashkuar me BE-në.

Megjithatë, BE-ja ka hezituar të bëjë premtime konkrete për anëtarësim për shtetet fqinje bazuar në nevojën që BE-ja fillimisht të konsolidohet, të zgjidhë problemet e saj të brendshme dhe të sigurohet që Bashkimi është me të vërtetë i bashkuar përpara se të pranojë shtete të reja.

Ngjarjet pas 24 shkurtit kanë treguar – ose më saktë kanë konfirmuar – se kundër vizionit keqdashës të Rusisë për rendin ndërkombëtar, një hezitim i tillë është dritëshkurtër dhe potencialisht shumë i rrezikshëm.

Zgjerimi i BE-së duhet të konceptohet dhe të ekzekutohet si një zgjerim gjeopolitik.

BE-ja duhet të pranojë se siguria e saj është e lidhur në mënyrë të pandashme me aftësinë e saj për të projektuar forcën dhe vendosmërinë e saj për t’u ofruar fqinjëve të saj të Evropës Lindore një perspektivë të qartë anëtarësimi dhe kështu t’i sinjalizojë pa mëdyshje Rusisë gatishmërinë e saj për të mbrojtur rendin ndërkombëtar në Evropë, d.m.th. vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Kjo nuk do të thotë të pranohen të tre shtetet e asociuara pikërisht në këtë moment, as që BE-ja duhet të bëjë kompromis për kërkesat e demokracisë dhe ekonomisë të ankoruara në kriteret e Kopenhagës, të cilat shtetet në këtë moment nuk i përmbushin aspak.

Megjithatë, qëllimi përfundimtar, anëtarësimi i plotë në BE, duhet të shprehet më qartë.

BE-ja dhe vendet duhet të përdorin kuadrin ekzistues të Marrëveshjeve të Asociimit (AA) dhe Zonave të Thella dhe Gjithëpërfshirëse të Tregtisë së Lirë (DCFTA) për t’u bërë gati për anëtarësim të plotë.

Situata nuk është njësoj për të tre vendet e përmendura.

Politikisht, duke qenë viktimë e agresionit të paprovokuar rus, Ukraina ka një arsye morale të padiskutueshme për të kërkuar anëtarësim në BE.

Pranimi i saj do të kishte gjithashtu peshën më të madhe politike në qasjen e Perëndimit ndaj Rusisë.

Nga ana tjetër, dy vendet e tjera nuk i janë bashkuar sanksioneve të vendosura si pasojë e pushtimit.

Në Gjeorgji, problemi i deficiteve në lidhje me standardet e demokracisë dhe sundimit të ligjit është pak më i rëndë se në Ukrainë dhe Moldavi, veçanërisht duke pasur parasysh trendin në rënie.

Ndërsa situata ekonomike në çdo vend është larg standardeve të BE-së, është e qartë se kostot e rindërtimit pas konfliktit në Ukrainë do të jenë të mëdha.

Për më tepër, të tre vendet mbeten prapa në disa nga axhendat më të rëndësishme të BE-së, si p.sh. sundimi i ligjit, lufta kundër ndryshimeve klimatike apo dixhitalizimi.

Nga ana tjetër, megjithatë, në kuadrin e politikës së Partneritetit Lindor dhe AA-ve dhe DCFTA-ve, të tre vendet kanë bërë një rrugë të gjatë në vitet e fundit për t’u afruar me BE-në. Është e qartë se ka potencial të mëtejshëm për ta në këtë drejtim.

Përveç aspektit të sigurisë të përmendur më lart, integrimi i Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – pas përmbushjes së të gjitha kritereve të nevojshme – do të nënkuptonte një zgjerim të konsiderueshëm të një tregu të vetëm, duke bërë që BE të ketë përfitime financiare.

Veçanërisht në rastin e Ukrainës, integrimi i sektorit të madh bujqësor në tregun e vetëm do të kontribuonte – pavarësisht ankesave të mundshme nga disa shtete anëtare të BE-së, në vetë-mjaftueshmërinë ushqimore të BE-së, potencialisht edhe për vendet e treta.

Pra, çfarë të bëjë BE-ja?

Është e qartë se BE-ja duhet të ketë vullnetin politik për të vepruar.

Në këtë kontekst, propozimi i fundit i Emmanuel Macron për krijimin e një “komuniteti politik evropian” më të gjerë tingëllon si një përpjekje për të ngrënë tortën- dhe në asnjë mënyrë nuk i dërgon sinjalin e fortë të nevojshëm Rusisë me vizionin e saj alternativ për rajonin. .

Pra duket BE-ja është larg arritjes së një vendimi të përbashkët se si të bashkëpunojë me Ukrainën dhe vendet e tjera të Evropës Lindore në të ardhmen.

Prandaj, nevojiten diskutime midis grupit të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, të cilat tashmë kanë mbështetur aspiratat e ardhshme të anëtarësimit të Ukrainës, dhe pjesës tjetër të BE-së të përfaqësuar nga Emmanuel Macron, Karl Nehammer ose Olaf Scholz.

BE-ja gjendet në një situatë aspak të mirë për shkak të veprimeve ruse në Ukrainë dhe duhet të kapë shumë zogj njëkohësisht.

Sado e vështirë të jetë kriza aktuale, ajo është transformuese për politikën e jashtme dhe të sigurisë të shteteve individuale, për të cilat Finlanda dhe Suedia dhe anëtarësimi i tyre në NATO është shembulli më i mirë.

Sa i përket BE-së, ajo mund – dhe duhet – të jetë nxitja drejt një roli më vendimtar në arenën rajonale dhe ndërkombëtare.

Burimi: EurActiv

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bregu 'ngre alarmin', por tregon platformat e zgjidhjes...

“Evropa në krizë të thellë, në pritje të BE-së, duhet të bashkëpunojmë”