MENU
klinika

Çfarë shkruan media italiane?

Si serbët në Kosovë, rrëfime tmerri nga Ukraina

21.05.2022 - 10:05

Nga Francesco Battistini “Corriere.it”

“Vrapova drejt Dominichka duke bërtitur: “Dominichka! Dominichka!”. Ajo nuk pipëtinte. Nuk lëvizte fare. I zbuloj njërën nga plagët dhe ia fashoj këmbën. Pa asnjë dobi. Nuk të shpëtova dot bija ime e dashur!”. Quhet Vladimir, dhe është një baba.

E tija është një nga mijëra rrëfimet e mbledhura në 85 ditë bombardime, që do të jetë pjesëe dosjeve që po depozitohen në Gjykatën Penale në Hagë, nëse dhe kur do të ketë një gjyq mbi krimet e  luftës. Dihet se në paqe janë fëmijët ata që varrosin baballarët e tyre, por jo në luftë.

Prokurori i Përgjithshëm i Kievit thotë se në gati 3 muaj luftë janë vrarë 231 fëmijë. Ose 3 çdo ditë. Shumica e tyre në Donetsk, Kiev, Kharkiv, Kherson, Chernihiv dhe Lugansk.

Edhe në Mykolaiv, ku të martën shpërtheu në autostradë një minë. Nga trupi i një vajze 5-vjeçare nuk u gjet thuajse asgjë. Një pikë në “detin” e gjakut të derdhur nga më të pafajshmit. Ja cilat janë disa nga historitë e tyre.

Klithma e një nëne në postbllok

Historia e Sofia Fedkov, 6 vjeçe. “Në orën 17:13 i telefonova mamit në celular. Ishte në makinë me dy vëllezërit e mi të vegjël, Ivan dhe Sofia. Po e pyesja: “Pse nuk shkon në Odesa? Aty situata është më e sigurt, ka edhe një apartament të lirë”.

Papritur, dëgjova nënën time duke bërtitur “ Zoti im! Ai është thjesht një fëmijë! Si mund ta bëni?”. Pastaj dëgjova të shtënat. Një derë që përplaset. Sërish të shtëna”. Denis Fedkov e tregon sikur ta kishte parë vrasjen e motrës së tij 6-vjeçare Sofia.

Nënë Irina kishte vendosur të largohej bashkë me fëmijët e saj nga fshati Vesele, kur rusët mbërritën në Kherson më 5 mars, dhe ndërprenë energjinë elektrike dhe ujin në qytet. Ajo u nis me makinë drejt Nova Kakhovka, për në shtëpinë e të afërmve.

I ati, Oleg, është një polic i thirrur për të luftuar ndaj pushtuesit. Irina kishte menduar se kjo ishte e vetmja rrugë për t’u arratisur. Në makinën përballë asaj Fedkov ishin edhe xhaxhallarët e saj. “Pasi dëgjoi të shtënat – thotë Denis – tezja ime u rikthye pas. Pranë digës, ai pa rusët.

Ajo shkoi dhe pyeti se çfarë ndodhi. Ata i treguan një hendek atje tej dhe iu përgjigjën: “Ajo grua nuk u ndal në postbllok!”. Ivani ishte plagosur në kokë dhe po bërtiste. Sofia kishte një vrimë në gjoks. I dërguan në spital, por motra ime tashmë kishte vdekur. Ata e lanë trupin e nënës sime atje për një ditë para se të na jepnin lejen për ta tërhequr”.

I shpejti Arseniy dhe halla e tij anesteziste

Historia e Arseniy, 14 vjeç. Atë ditë mbante veshur një bluzë e bardhë me mbishkrimin “Grrr”. Pranë ndodhej e motra që kishte përqafuar të atin. Nga ana tjetër, hallë Marina i vendos një dorë mbi sup. Ajo që ka mbetur nga jeta e Arseniy, “Senya” për të njohurit, ruhet vetëm në Facebook.

Më 3 mars, kur u përshkallëzuan luftimet përreth Kievit, trupat ruse nisën të shënjestronin enkas civilët në Zagaltsy. Senya ishte marrë me atletikë. Në moshën 14-vjeçare, ai ishte më i shpejti në klubin e futbollit të zonës. Por bombat ishin shumë të shpejta: një cifël predhe e goditi në kokë.

Senya qëndroi në agoni për dy orë i përgjakur. Askush nuk mund t’i vinte në ndihmë, sepse rusët qëllonin mbi cilindo që afrohej. Në një moment guxoi dhe iu afrua Marina Kalabina, halla me profesion anesteziste. Ajo donte të paktën të përpiqej ta rikthente në jetë.

Nisi ta tërhiqte drejt makinës adoleshentin thuajse të vdekur. Rusët qëlluan edhe ndaj saj, duke e vrarë në çast. Trupat e Senya dhe hallës së tij Marinës mbetën në asfalt për ditë të tëra, para se dikush t’i merrte. Pranë tyre, disa qindra metra më tutje, ishte kopshti ku Senya shkonte kur ishte i vogël. Nuk ekziston më. Është djegur në luftë, ashtu si edhe jeta e futbollistit të vogël.

Sasha, i mbytur në “detin e Kievit”

Historia e Sasha, 4 vjeç. Dita që gjetën trupin e tij, për prindërit ishte një lloj lehtësimi. Ana, e ëma, e kuptoi se nuk mund të bënte më asgjë. Por ajo u lut që të kishte të paktën trupin për ta varrosur. “Një nënë nuk duhet t’i japë kurrë një varr fëmijëve të saj. Të paktën tani e di që shpirti i saj ka gjetur paqe. Dhe që Sasha është një engjëll në parajsë”- thotë Anna Yakhno.

4-vjeçari rezultoi i humbur më datën 10 mars. Në Vyshorod, rusët kishin mbyllur të gjitha rrugët hyrëse dhe shkatërruar urat mbi Dnieper. Si mund të dilej nga andej? Banorët kishin mbledhur të gjitha varkat e mundshme. Ideja ishte të udhëtonin përmes “detit të Kievit”, pellgun ujëmbledhës të hidrocentralit.

Sasha u pajis me një jelek shpëtimi. Në varkën e mbushur plot me njerëz e mbante për dore  gjyshja e tij. Por rusët vazhduan t’i bombardonin edhe aty. Dhe nga paniku, nga ujërat e trazuara, apo nga fati i keq, barka ishte përmbysur papritur.

Gjyshja nuk mundi ta mbante fort dorën e vogël të Sashës, dhe ajo u mbyt menjëherë. Trupi i saj i vogël u mor nga rryma e fortë. Trupi i pajetë u gjet 2 ditë më vonë, i fryrë nga uji dhe i palëvizshëm, në një zonë kallamishtesh buzë brigjeve.

Përshëndetje dhe të shtëna

Historia e Yelisey Ryabokon, 13 vjeç. Funerali i Yelisey ishte i tmerrshëm. I ati i tij, Yevgeny, e përqafoi arkivolin e bardhë dhe foton e një djaloshi të buzëqeshur. U përpoq të thoshte diçka, por zëri nuk iu bind. Yelisey ishte nga Peremoga, një qytet i vogël afër Kievit.

“Atë ditë – rrëfën nëna e tij, Inna – rusët na dhanë leje të largoheshim. Madje na përshëndetën dhe na uruan fat. Por kur formuam një kolonë prej 5 makinash dhe kaluam fushat për të arritur në rrugën automobilistike, ata filluan të qëllojnë mbi ne nga të gjitha anët”.

Yelisey ndodhej në makinën e dytë, që u bë shoshë nga plumbat, dhe ku gati askush nuk mbijetoi. “U zvarrita nëpër fushë – thotë Inna – dhe arrita të shpëtoj vetëm djalin tjetër, më

të voglin që është 3 vjeç, që e nxora nga makina duke e tërhequr nga kapuçi i xhupit”.

Vendi ku u vra Yelisey ndodhet në fshatin Brovary, në periferi të Kievit, një nga zonat më të goditura. I riu vdiq më 11 mars, por u desh një muaj që të organizohej funeralin e tij. “Unë jetoj vetëm për fëmijën tjetër, dhe që dikush të paguajë për të gjitha këto krime”- thotë Inna.