MENU
klinika

“Ballkani i Hapur”

Presidenti i Malit të Zi: Nuk pajtohem me Abazoviçin

17.05.2022 - 16:36

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka përsëritur qëndrimin e tij kundërshtues për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën e kanë themeluar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Gjukanoviç, pas takimit që pati të martën me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se Malit të Zi dhe shteteve të rajonit u duhet anëtarësimi në Bashkimin Evropian e jo alternativat, siç e quajti ai “Ballkanin e Hapur”.

Ai foli edhe për qëndrimin e kryeministrit Dritan Abazoviç, i cili ka qëndrim më të butë për “Ballkanin e Hapur”.

“Ne kemi qëndrime të ndryshme për këtë iniciativë. Unë kam dëgjuar shumë herë prej tij se si pjesë e mbështetjes së tij për të gjitha nismat rajonale, e mbështet edhe këtë. Gjithashtu, disa herë e kam deklaruar publikisht se nuk mendoj se kjo është një nismë optimale. Më tepër e shoh atë si një lloj kopje të Procesit të Berlinit”, tha Gjukanoviç, raporton “CDM.me”.

Pos Malit të Zi, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, “Ballkanin e Hapur” nuk e kanë përkrahur as Kosova e as Bosnjë-Hercegovina.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për alternativë, kemi nevojë për anëtarësim. Prandaj mendoj se është krejtësisht e natyrshme që ne të vazhdojmë procesin e negociatave me BE-në me shpejtësi të plotë. Unë besoj se kjo Qeveri do ta bëjë këtë. Besoj se së shpejti do të zhbllokojmë procesin e negociatave në fushën e sundimit të ligjit dhe kështu do të fillojmë mbylljen e kapitujve të negociatave dhe besoj se me pjesëmarrjen e plotë në Procesin e Berlinit do t’i japim vetes një moment të mirë dhe se Mali i Zi do të vlerësojë avantazhin që e ndërtuam në periudhën paraprake dhe u bëmë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së”, theksoi Gjukanoviç.

Presidenti i Malit të Zi, të mërkurën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të presidentes, Vjosa Osmani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do të isha i lumtur që të shkoja në Beograd"

Abazovic: Mali i Zi nuk ka asnjë vend më të afërt sesa Serbinë