MENU
klinika

Cakton datën për raundin e katërt

Konferenca e Kryetarëve mblidhet nesër në orën 14:00

30.05.2022 - 20:42

Pas dështimit të raundit të tretë për emrin e Presidentit, ditën e nesërme në orën 14:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve.

Kujtojmë se edhe në raundin e tretë, opozita nuk solli asnjë kandidaturë në atë që u përcaktua si shansi i fundit nga maxhoranca për të propozuar kandidat për Kreun e ri të Shtetit.

Në raundin e katërt maxhoranca ka paralajmëruar se do të jetë ajo që do të propozojë kandidatët për president që do të çohen më pas për votim në parlament.

Në raundin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, çka do të thotë se maxhoranca i ka votat.

“Të nderuar kolegë, nesër ditën e martë, datë 31 maj, ora 14.00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të shqyrtojë disa çështje në rendin e ditës.

Në pikën për përcaktimin e datës së votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, seanca do të transmetohet live në faqen ËEB dhe FB të Kuvendit.

Operatorët mund të ndjekin fillimin e mbledhjes së Konferencës për plane, ndërsa gazetarët mund të ndjekin mbledhjen gjatë kohës ku do të shqyrtohet çështja per zgjedhjen e Presidentit.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mund të më shkruani për çdo nevojë për mbështetje apo sqarim”, thuhet në njoftim.

Si zgjidhet presidenti i ri

10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret maksimumi duhet të ishte data 24 maj, pasi mandati i Metës mbaron më 24 korrik.

Tashmë është koha e propozimit zyrtar të kandidaturave, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit.

Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës maksimalisht në gjysmën e dytë të muajit qershor do të jetë i zgjedhur, duke qenë se data e fillimit të procesit është konsideruar data 10 maj. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN