MENU
klinika

Nga Mero Baze

Presidenti po nxjerr në dritë ndarjen tripolare të opozitës

18.05.2022 - 20:27

Nga Mero Baze

Procesi i përzgjedhjes së një emri për president të Republikës përmes konsultimeve me opozitën po shpalos më shumë krizën e opozitës dhe pafuqinë e secilit grup brenda saj për 20 nënshkrime, se sa seriozitetin e saj për t’u bashkuar së paku rreth 20 firmave për një kandidat të pranueshëm.

Procesi po banalizon integritetin e opozitës dhe po e bën atë të duket e paqartë dhe konfuze në këto momente.

Shkëndija e parë e jo seriozitetit është propozimi për të bërë dialog live në ekrane për presidentin. Marrëveshjet politike natyrisht nuk duhet të jenë okulte dhe të dala nga lobime jo politike, por nuk di ndonjë rast në historinë e politikës që negociatat të zhvillohen live në ekran. Në ekran të gjithë impostohen për t’i dëgjuar elektorati dhe jo për të zgjidhur problemin.

Propozimi tregon se opozita është frikacake për të pasur bisedime me integritet dhe janë kompleksuar të gjithë nga Sali Berisha, që i akuzon se po bëjnë flirt me Edi Ramën. Vetë Sali Berisha se ka pas kurrë këtë kompleks. Ai u ul 8 orë kokë më kokë me Fatos Nanon më 2002, dhe përveçse ranë dakord për emrin e Artur Kukos, diplomat në NATO në atë kohë, ranë dakord dhe për një sërë reformash të tjera në KQZ, Gjykatë të Lartë, Gjykatë Kushtetuese, Kontroll të Shtetit etj. Edhe pasi dështoi emri i Artur Kukos, ata e ruajtën integritetin e procesit, duke zgjedhur një emër tjetër.

Tani Berisha ngaqë është i përjashtuar vetë nga procesi, komplekson “kalamajtë” e tij, duke u thënë mos bëni gjë pa leje të “babait”, duke i akuzuar si tradhtarë. Nëse grupi kundër Berishës në krye të PD do të vazhdojë të bëjë politikë me këtë kompleks inferioriteti, ai grup do të jetë gjithë jetën i varur nga instinktet politike shkatërruese të Berishës, që do t’i mbajë të kompleksuar.

Të bisedosh me kundërshtarin është guxim politik dhe kur ulesh në bisedë, nuk ka të humbur dhe të fituar, por ka një produkt procesi. Produkti i këtij procesi duhet të jetë presidenti i Republikës dhe ndoshta zgjerimi për Avokatin e Popullit dhe institucione të tjera.

Nëse opozitarët e rinj mendojnë se të bisedosh është të bësh batuta dhe teatër në ekrane, mund ta bëjnë, por në fund do mbeten me gisht në gojë dhe do kënaqin Sali Berishën, i cili në këtë rast ka parimin “unë nuk dua lopë për vete, por me vra lopën e komshiut”.

Nga ana tjetër, kjo është një tallje e drejtuesve të opozitës dhe me kandidaturat e tyre. Ata deri më sot u ofrojnë kandidatëve të vetëshpallur të shkojnë të marrin garanci personale nga Edi Rama dhe pastaj ata t’i kandidojnë. Ky është proces poshtërues për ta.

Opozita nuk mund të vazhdojë të gënjejë edhe publikun, edhe të vetët, nëse nuk do të marrë pjesë në këtë proces.

E ka shumë të thjeshtë, rri mënjanë dhe nuk merr pjesë. Presidenti zgjidhet dhe me 74 vota, aq sa ka Partia Socialiste. Problemi është që ajo duhet të kalojë provën e çlirimit nga kompleksimi që i bën Sali Berisha.

Por me sa duket problemi real është se asnjë nga tre grupet e opozitës nuk i ka 20 veta që duhen për nënshkrime dhe nuk duan të turpërohen. Sali Berisha ka 15 dhe atij nuk i pranohet propozimi. Pjesa tjetër prej 35 deputetësh duket që nuk ka asnjë 20 nënshkrime të sigurta, ose nuk i bëjnë dot 20, për shkak të kandidaturave të dobëta që sillen rrotull tyre. Dhe për të mos u turpëruar bëjnë sikur po bëjnë negociata në ekrane.

Për “Teatër në ekran” kam dëgjuar, por për negociata në ekran është hera e parë që dëgjoj. Negociatat bëhen në tavolinë dhe kërkojnë trimëri dhe integritet. Nëse nuk i kanë këto cilësi, mos të marrin më qafë opozitën, se presidenti zgjidhet kollaj. Cakton një dezhurn Edi Rama për pesë vjet.