Nga Ben Andoni
Atë që di të menaxhojë më shumë ish-kryeministri dhe ish-presidenti Berisha është manipulimi i turmës së tij ose narracioni për të ashtuquajturën rikthimin e tij, si nevojë për PD-në. Për publikun, që ndoshta e ka harruar, kjo lojë është njëjtësuar me simbolikën e shtetit. Në një nga emisionet më të ndjekura për publikun, Berisha nuk pranonte të niste po të mos kishte flamurin kombëtar pranë vetes, sepse edhe i ikur e përfaqësonte sipas tij institucionin. Kuptohet se këtë simbolikë e ka lënë, kurse si kryeministër do e tregonte se shteti ishte thjesht nën këmbët e tij. E ka kaluar shumë “natyrshëm”, thyerjen e embargos ndaj ish-Jugosllavisë në kohën e luftrave të Federatës së shpërbërë; e ka kaluar pa asnjë problem vitin 1996, madje subjektet që i rrahu paq i mbrojnë tashmë vijën ideologjike (!!); kaloi problemin me firmat piramidale bashkë me kolegët socialistë dhe bëri që ta harrojnë tashmë krejt qoftë dhe me viktimat; kaloi vitin 1997 dhe atë që urdhëroi kundër njerëzve, madje edhe duke e pranuar; bëri që të harrohet Gërdeci bashkë me pasardhësin e tij Rama; nuk i bën syri tërr për “21 Janarin” etj.,etj. Por ka një armik që nuk mund ta shmangë dot. Kjo lidhet me nënvetëdijën e tij. Pyetjes të një kolegu të ri gazetar për “21 Janarin” do t’i përgjigjej me arrogancë të frikshme; pyetjeve për 1997-1998 u është përgjigjur gati me sulm; fabulës se ka qëndruar nën hije te PD-ja pasi deklaroi largimin u është përgjigjur në një mënyrë që e tregonte se ishte ai në çdo moment paçka kinse mohimit…Dhe, mbi të gjitha urdhërues.
Po pse i gjithë shteti druhet prej Berishës? Pse pushtetet e shtetit i kërkojnë vetëm pushtetit të SPAK-ut ndihmë? Pse njëjtësohet frika e të gjithëve para tij? Tek PD-ja e kupton lehtë. Mungesa e ideve dhe e demokracisë së brendshme në këtë formacion, njëjtësimi i ish-kryeministrit me PD-në, pritja e gjatë e militantëve për t’u kthyer në një pushtet ku nga afëria me Berishën përcaktohet statusi shoqëror dhe ai financiar. Po te pjesa tjetër e njerëzve? Berisha ka ngritur fabulën e të paprekshmit dhe të mitit publik. Kur shikon ndjekësit e tij, të duket më shumë si personazh religjioni me ndjekës sesa kryetar i një partie që e ka përcjellë direkt dhe indirekt në përçarje. Ka shumë që rendin të kenë vetëm një foto me të, ashtu si shumë të tjerë kujtojnë gati me ekstazë, qoftë edhe një dialog të vogël me Berishën. Sa i përket socialistëve, ata duket se e kanë ende frikën ndaj veprimeve të tij kur ishin në Opozitë, por edhe peshën e rëndë të pushtetit të strukturave të tij dhe sidomos egërsinë e treguar në ballafaqimin me ta. Janë individë të tërë nga ana tjetër në administratën e shtetit që e shikojnë jo thjesht si figurë ekzotike…por si njeriun “e ndryshimit” përballë Ramës!!! Aqsa non-grata e DASH-it duket si një vërejtje e thënë kalimthi. Dhe, më ndryshe ende Grupi i “Rithemelimit”, i cili pas humbjeve të mëdha me Bashën dhe pas shërbimit ndaj një njeriu që e shkatërroi PD-në, shikojnë tek ai njeriun që po i motivon dhe mbase njeriun që mund t’i kthej në pushtet!!!
Ndërkohë po ta ndjekësh me kujdes: arroganca e sjelljes së Berishës e ka një logjikë dhe kjo lidhet me atë që ai përsërit shpesh: Si njeriun që do bëj ndryshimin por edhe që do të jetë kryetar i një partie, që me të është e penalizuar më kot. Fabula e Bashës ka humbur, madje edhe nga njerëzit e tij që bënë katrahurën në Janar. Dhe, paradoksi, Berisha po luan të përvuajturin dhe njeriun që e kanë akuzuar më kot. Përveç momenteve ku shfaqet realisht, ashtu si është, i egër dhe shumë arrogant. “Një person arrogant e konsideron veten të përsosur. Ky është dëmi më i madh i arrogancës. Ajo ndërhyn në detyrën kryesore të dikujt në jetë, që të arrijë të bëhet një person më i mirë”, shkruante dikur Tolstoi por me besimin e tij të zakonshëm të njeriut të mirë. Aman, jo të “Homos politicus” të shekullit XXI, që si Berisha e justifikon shtetin vetëm kur njëjtësohet me të dhe u jep besim njerëzve, që sot gjejnë deri absurditete të justifikohen si rrinë pas tij, se ai është ndryshimi. Dhe, sa më shumë zgjat ky “mit urban”, aq më shumë njerëzit janë të bindur se mali me akuza ndaj Berishës është thjesht një iluzion sipas shpurës së tij, kurse një pamundësi ose “gjë pa rëndësi” për ata që e vëzhgojnë nga sipër, njeriun që ka lindur me këmishën e fatit të mbrapshtë të vendit. Kjo është arsyeja që SPAK nuk e prek dhe Rama ka frikësuar, duke e përmendur shpesh herë të njëjtësuar me vdekjen. Tek e fundit është caku suprem, që mund të rregulloj atë që nuk e bën dot politika e ngulfatur shqiptare dhe institucionet shqiptare. Qoftë edhe SPAK-u.