MENU
klinika

Derë e hapur për grupet e tjera parlamentare të opozitës

Raundi i dytë/ Balla dhe Alibeaj ulen sot për Presidentin e ri!

18.05.2022 - 09:36

Mazhoranca dhe opozita do të ulen sot në orën 10:00 për të negociuar për Presidentin e ri dhe procesin në për të cilin do të kalojë zgjedhja e kreut të shtetit përpara se të kalohet tek emrat konkretë.

Djegia e raundit të parë pa pasur një emër për të zgjedhur si president të ri të vendit, ka shtyrë dy grupet kryesore parlamentare të ndryshojnë axhendat dhe intensifikojnë takimet të dakordësohen për procesin dhe më pas emrat konsensualë. Palët nuk duan të humbin kohë, pasi raundi i dytë i votimit në kuvend është caktuar për në 23 maj. Kreu i Grupit të PS Taulant Balla tha përpara mediave se PS vijon me të njëjtin qëndrim se edhe mazhoranca duhet të ketë të drejtën për të propozuar kandidatë për President. Balla u shpreh se procesi nuk po zvarritet, ndërsa ftoi opozitën që të zbritet tek emrat konkretë të kandidatëve.

“Natyrshëm me parimin që të drejtën e propozimit ta kenë të gjitha palët. Mazhoranca të ketë të drejtë propozimi. Është gjë e mirë që të kemi komunikim. Alibeaj ka kërkuar që ky negocim të ishte me praninë e mediave. Kështu që nesër merrni masat dhe të jeni prezent për ta dëgjuar publikisht pozicionin. Unë pozicionin tim e kam thënë qartë. Nëse ka gatishmëri për t’u përfshirë në proces, për të pranuar diçka që të jetë themelore që të gjitha palët të propozojnë, atëherë mund të kemi ecuri në këtë proces. Duhet të zbresim tek emrat. Propozimi im për opozitën është që të vijnë me propozim konkret. A i ka opozita 20 deputetë për firma për kandidatë. Këto negociatat me shkresa nuk sjellin shumë produkt konkret”, tha Balla.

I pyetur nëse ky proces po zvarritet, kreu i grupit të PS theksoi se: “Kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe. I ka kujtuar që asnjë prej palëve nuk krijon dot krizë politike. Ky proces kryhet përgjatë 3 raundeve të para. Në raundin e katërt, Kushtetuta i ka vendosur mekanizëm bllokues duke iu dhënë mazhorancës që të zgjedhë Presidentin. Unë duhet të them që ky takim ishte një takim ku është një takim publik, i hapur dhe unë dua që ky të jetë një proces që të kemi mundësinë që edhe PD të thotë mundësinë e vete. Dëshira jonë është që të 4 grupet parlamentare të jenë të përfshira”, tha Balla.

REAGIMI

Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se nuk ka rëndësi emri, por procesi në fillim. Alibeaj i qëndroi bindjes së tij se propozimi për Presidentin duhet të bëhet nga opozita, ndërsa u shpreh se transparenca në proces është ilaçi më i mirë kundër çdo pazari politike.

“Çdo diskutim për çështjen e presidentit të bëhet me media. Vetëm transparenca është ilaçi më i mirë kundër çdo pazari dhe kjo është një gjë që ju dhe publiku e do. Për këtë arsye është fare e thjeshtë, nesër në orën 10 jeni të ftuar për të parë për diskutimin. Duhet një proces në interes të shqiptarëve, një proces parlamentar që të çojë aspiratën e qytetarëve për qytetarin e parë të shqiptarëve”, u shpreh Alibeaj për mediat. I pyetur nëse do të jenë prezent edhe Mesila Doda me Fatmir Mediun, Alibeaj u shpreh se takimi do të jetë i hapur për të gjithë.

“Lidhur me çështjen e parë, nuk varet nga unë. Nesër ajo sallë është e hapur për këdo të vijë dhe të diskutojnë për qëndrimin tonë, edhe Mediu edhe Doda. Këtu jemi të hapur. Ne kemi durimin që gjërat t’i diskutojmë gjerat hap pas hapi. Kushtetua thotë që në tri raundet e para duhet me 84 vota. Ne kemi bërë propozimin tonë. Rregullat të para pastaj emrat. Kjo do ta bëjë seriozë procesin. Ne kemi thënë që propozimin ta kemi ne, opozita, ky është qëndrimi ynë. Renditja pas emrave pa vendosur ca rregulla e bën procesin jo serioz. Nesër do shihni kush është qëndrimi i palës tjetër. Nëse do pjesëmarrjen e opozitës, ta shohim nesër. Ne e kemi bërë hapin tonë, të qartë me rregulla të arsyetuar. Po bëjmë shërbimin tonë, jemi në pritje të parë se cili është qëndrimi i palëve të tjera”, tha Alibeaj.

Më 23 maj, raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri

Konferenca e Kryetarëve caktoi dje 23 majin si datën për zhvillimin e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit dhe 30 majin nëse edhe ajo dështon si raundi i parë. Këto afate u propozuan nga kreu i grupit të PS-së Taulant Balla, i cili u shpreh se ato vijnë në bazë të afateve që përcakton Kushtetuta dhe se PS-ja do të qëndrojë besnik respektimit të saj. Edhe kjo mbledhje e Konferencës së Kryetarëve u zhvillua me debate dhe kundërshti mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës. Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se e dinë që mazhoranca ka 71 vota për ta zgjedhur Presidentin në raundet e tjera, por theksoi se ato janë të vjedhura.

“Më e rëndësishme është si del për të qenë akoma më dinjitozë. E dimë që i keni 71 vota. E di fare mirë se çfarë legjitimiteti keni ju për ta zgjedhur në raundin e katërt dhe të pestë. Disa kritere ligjore që figura presidenciale duhet të ketë. Por, për të qenë një proces që të jetë dinjitoz dhe të mos shndërrohet në farsë dhe lojë. Besoj se duhet ta sfidojmë. Duke qenë serioz, duke marrë pjesë në proces. Duke ofruar edhe një procedurë të thjeshtë. Për të instauruar një proces që të dalë jashtë interesave politike që t’ia japë këtë legjitimitet Presidentit. Kjo o bëhet o nuk bëhet në tri raundet e para”, u shpreh Alibeaj.

Nga ana e tij, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, tha se “Bazuar në nenin 109 të rregullores, në vijim të propozimit të Enkelejd Alibeajt për të marrë afatin maksimal përllogaritur nga dita e djeshme, propozoj që raundi i dytë të zhvillohet ditën e hënë në datën 23 maj në orën 18:00. Më fundor se kaq nuk ka. Pra besoj ky është propozim që biem të gjithë dakord”.

Balla shtoi se: “Dëgjova një shprehje as i njërës palë dhe as i palës tjetër. Doni ta diskutojmë dokumentin? Hajde ta diskutojmë. Të drejtën për të propozuar emra PS-së nuk ia hiqni dot dhe nuk ia vini dot kusht. Ne kemi vënë një kusht. Të jetë i kundërt me ato që ka bërë Ilir Meta në këto 5 vite në Presidencë. Këtë duam. Ne kemi qenë shumë të hapur që ditën e parë”, tha Balla.

Gjatë mbledhjes, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se: “Personalisht por besoj dhe opozita duhet të mos bëhemi pjesa e një procesi fasadë e farsë që të presim të vijë raundi i 4-t dhe i 5-të të veprohet me mazhorancë të thjeshtë. O do mbajmë qëndrim për të shkuar me kandidat ose duhet të vendosim ndërprerjen e pjesëmarrjes në këtë proces”.

Deputetja e PD-së, Grida Duma, u shpreh se: “Keni pasur propozime që t’ia jepni kandidatin opozitës. Sot, ne këtu të jemi fasada që të merrni disa kritere nga ne dhe të thoni pastaj që mbi kriteret e opozitës zgjodhëm Presidentin. Procesin me raunde e konsideroj të pavlefshëm dhe fasadë”. Pas saj, Elisa Spiropali deklaroi se janë të hapur për propozimet, ndërsa ironizoi qëndrimet e kundërta brenda opozitës. “Së pari, duhet të bini dakord se çfarë doni prej nesh, prej vetes dhe çfarë prisni nga ky proces Ju folët për një sfidë të pazareve të vjetra dhe skutave. Ju sërish paraqisni kushte. Jemi të hapur si për procesin dhe për emrat”, tha Spiropali.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN