Pas 3 ndeshjeve pa fitore, Manchester United është rikthyer te suksesi, duke mposhtur në shtëpi 3-0 Brentford. “Djajtë e Kuq” mbeten në vendin e gjashtë dhe vetëm mrekullia mund t’i fusë në zonën Champions.
Një gol i herët i shënuar nga Bruno Fernandes në minutën e nëntë ndezi takimin. Ndërkaq, një tjetër episod për t’u veçuar në fraksionin e parë ishte edhe një gol i anuluar në dëm të Cristiano Ronaldos për një pozicion të parregullt.
Gjithsesi, në 45-minutëshin e dytë, portugezi gjeti rrugën e rrjetës teksa fitoi një penallti të cilën e shndërroi vetë në gol. Ky ishte realizimi numër 18 në këtë sezon për 37-vjeçarin duke barazuar numrin e golave të shënuar po me United në sezonin 2008-2009, para se të transferohej te Real Madrid.
Sakaq, festës së golave iu shtua edhe Rafael Varane, i cili realizoi në minutën e 72-të pas zhvillimit të një goditje këndi dhe në zonë devijoi saktësisht topin në rrjetën e kundërshtarëve, teksa për francezin ky ishte goli i parë me fanellën e United.
Ndërkohë, deri në përfundimin e ndeshjes rezultati nuk pësoi më ndryshim me Manchester United që shkon në kuotën e 58 pikëve dhe mban vendin e gjashtë, ndërsa të paktën matematikisht “Djajtë e Kuq” kanë ende shpresë për të prekur vendin e katërt.