Është gazetari i njohur Ilir Ikonomi, i cili, ka risjellë në vëmendjen e publikut shqiptar, ftesën nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Ruzvelt i kishte dërguar Mbretit Zog, për të vizituar Amerikën. Por, nga ana e tij, Mbreti e kishte refuzoi me mirësjellje.
Në vitin 1936, Presidenti i SHBA, Franklin Ruzvelt, i dërgoi Mbretit Zog një ftesë për të vizituar Amerikën. Zogu refuzoi me mirësjellje, siç lexohet edhe në këtë letër që i ktheu presidentit amerikan:
“Adhurimi që ushqej për vendin e madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos për Shkëlqesinë Tuaj, do të më bënte të nisesha me gjithë dëshirë për në Amerikë, por punët e shtetit kërkojnë në këtë moment praninë time në vendin tim.
Me kënaqësi të madhe, do të nxitoja të përfitoj nga ftesa mjaft bujare e Shkëlqesisë Suaj, në rastin e parë që do të më paraqitej.”
Një udhëtim vajtje-ardhje në Amerikë zgjaste rreth një muaj, pa llogaritur kohën e qëndrimit.
Me gjasë, Mbreti Zog druhej se një mungesë e tij e gjatë në Shqipëri,mund ta shtynte Musolinin ta rrëzonte nga pushteti. Italia fashiste kishte dhënë prova se ishte gati t’i bënte puçin. Gjithashtu, mbreti nuk e dinte sesi do të pritej nga shqiptarët e Amerikës.
Në vitin 1938, Zogu dërgoi tri nga motrat e tij, për të vizituar Amerikën. Më 4 mars, ato u pritën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
“Princeshat pinë çaj me zonjën Ruzvelt dhe në dhomë hyri Presidenti, për t’i takuar në shenjë respekti,” shkruan gazeta “Washington Times”.
Në Boston të shtetit Masaçusets, ku shqiptarët formonin koloninë më të madhe, motrat e mbretit u pritën me një entuziazëm që i befasoi gazetarët. Vizita shënoi pajtimin përfundimtar të Mbretit Zog me Fan Nolin, të cilët më shumë se një dekadë më parë e kishin dënuar njëri-tjetrin me vdekje.
Sa ishte në pushtet, Mbreti Zog nuk mundi ta vizitojë Amerikën, edhe pse ftesa e Presidentit Ruzvelt mbeti në fuqi.