Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”, i zhvilluar nga strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Prokurorinë e Rrethit Tropojë.
Sekuestrohen rreth 18 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari që i posedonte.
Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Prokurorinë e Rrethit Tropojë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Again”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Zh., 53 vjeç, banues në Bajram Curri, Tropojë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 18 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një aparat celuar.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.