MENU
klinika

Martiri shpëtimtar

Si i kanë kënduar shqiptarët Shën Gjergjit?

18.05.2022 - 15:26

        Figura e Shën Gjergjit lidhet me gojëdhënën e famshme, të fitores mbi dragoin e që, në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore dhe errësirën. Prandaj, në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës që ndeshet dhe mund dragoin. Gjithashtu, në legjenda, në art, në letërsi dhe në doktrinën kishtare, Shën Gjergji shpëton nga dragoi princeshën, e cila, kërkonte të sakrifikohej për të shpëtuar qytetin e saj nga asgjesimi, por më pas, në shenjë falënderimi, do të bëhej bashkëshorte e tij.

Simbolika e triumfit, te Shën Gjergji sinjifikon jo vetëm shpëtimtarin, por dhe shembullin e lartë të sakrificës./Konica.al

Por, si ka ardhur kjo legjendë, që më pas u bë festë popullore, në trevat shqipfolëse? Në krahinën e Cavallerizzos, Kalabri, në ditën e kremtimit të Shën Gjergjit, arbëreshët këndojnë këtë këngë:

Mirë se ju gjëim bular,
Ertim na Mbuzat të par,
Shën Giergjin për hare
Të këndoimë ndë këtë dhe.
Zëm një valle e një kangjel
Pa krapriole e pa rrotielë,
Ma një kënkë për devocjon
Sat mos lëm zakon.
Shën Giergji kavallieri,
Zëri i tij s’ka të rrëfier
Leu bular e i bëgatë,
Të krështet prindët i pat.
Su djalë nd’ushtëri,
Ritur qe ndër bulari
Gjithë me llënzë e shpatë i theri
Shën Gjergji kavallieri.

Kjo këngë është inçizuar më 15-04-1977 dhe këndohet nga: Melicchio Giorgina, Corbelli Giorgina, Madotto Ilia, Muraglia Silvia, Rizzo Giuseppina, Melicchio Caterina.

Në Siçeli, arbëreshët këndojnë:

“Të falemi i Shën Gjergj”.
Të falemi, i Shën Gjergj,
O nder i math i jetës,
Dëshmor i të vërtetës,
I gjarpërit armik.
Të falemi përdita,
Të lutemi tue thënë:
“O ndihm’ e horës tënë,
mos lerna në rrezik!”
Klyshedhra aq’ e tmeruarë,
Çë ti lavose e preve,
La farën, ç’edhe neve,
Të zërë po kërkon…
O shëjti thavmasor,
Ti ndihma të guxojmë
E vendin të shpëtojmë
Nga ajo klëshedhr’ e shkretë.
Të jet’ nga gjindja e lirë,
I falur me haidhi,
I larti perëndi,
Nani e për mot’ e jetë!

Ditën e Shën Gjergjit, nuset dhe vajzat në Picallë të Tiranës, dilnin herët në mëngjes, duke kënduar këngën “O Shën Gjergj i bardhë”.

O Shën Gjergj i bardhë,
Njishti motmot m’gjeç me djalë!
O shën Gjergj i mushtullu,
Njishti motmot m’gjeç martu!
Sa ky li,
Të bahen flokt e mi.

Kjo këngë është kënduar në Picallë, më 1953.


Natën e Shën Gjergjit, fshatarët zbukuronin shtëpitë dhe kasollet e bagëtive me degë të gjelbra dhe me lule. Në mëngjes fshatarët ngriheshin herët, bënin kurora dhe i vendosnin në kokë. Në ditën e Shën Gjergjit therej një qingj. Në këtë ditë ndaheshin shqerrat nga delet dhe fillonte mjelja. Në Greshicë të Kërçovës në ditën e Shën Gjergjit lyenin shtëpitë me gëlqere.

Shpija jon’ me tulla, me tulla,
Na ka ardh’ shën gjergji me lula, me lula,
Shpija jon’ e lyme me qireç,
Ani e kemi lye për shën Gjergj.
Shpija jon’ me cinglla, me cinglla
E pritëm shën Gjergjin me çika, me çika.
Shpija jon’ e lyme me horasan,
Na po luhatemi në tok’ e n’tavan.
Hul-hulaja, shkojmë ke daja,
Rrijmë dy net, vijmë apet.

Në fshatin Shtikë të Kolonjës, në të kremten e Shën Gjergjit, gratë e vajzat kërcenin e këndonin përreth kishës që mbante emrin e shenjtit.

I Shën Gjergj, ta kemi mallë,
More i Shën Gjergj,
Për një lugëzë me dhallë.
Dolla ditën e Shën Gjergjit,
Humba sumbullat e jelekut,
M’i gjetke i biri mbretit,
M’i tretke plumba dyfekut.

Kjo këngë këndohej edhe në Bradvicë të Korçës. Poeti arbëresh Jul Variboba, ka krijuar këtë vjershë për Shën Gjergjin.

A ke parë ti një furtunë,
Kur gushti është në mest?
Dheu erret, bëhet një pus,
Qielli nxin si kadife.
Gjëmimë, rrufë, shkreptima,
Vetëtima e bubullima;
Kokr’ e breshërit më e lehtë,
Sa një kokër vezë rose;
Qele thyen e qeramidhe,
Vret thëllëza e kafshë,
Fiq, nërënza, dardha, mollë,
Vreshta, ulinj i rreh si shtupë..
Përmbytja vjen posi det,
Mbyt mullarë dhe qe,
Qan fshatari: “i mjeri unë”!
Sivjet vajti vera me vaj!
Shkarrim më të madh na solli
Mbret’ i egër kryeneç!

Në Elefsinë të Greqisë, arvanitasit në ditën e Shën Gjergjit këndonin këngën:

Re Shin Gjergji, zoti im,
Ti me kalë kavallar,
Shum’ të dua pse je trim,
E të trembënë ga parë.
Re shin Gjergji, je arvanit,
Kapetan na ti të kemi,
Falemi nat’ edhe ditë,
Si ti trima tër’ të jemi.
Ti Shin Gjergj, na besove,
Të luftojmë bashk, me kalë;
Ga to pam’kondar’çë çove
Edhe neve e bëm’ pallë.

Kjo këngë e regjistruar në Elefsinë, në vitin 1980, tregon që arvanitasit e nderonin Shën Gjergjin, duke e quajtuar shenjtin e etnosit të tyre.

 

Këngët mbledhur nga Andrea Llukani, “Folklori Kristian”, f. 68-69.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit