MENU
klinika

Analiza

Si Rusia e bëri Hungarinë “armike” të fqinjëve të saj…

05.05.2022 - 08:55

Sidomos në kohë lufte, besueshmëria e një qeverie është e një rëndësie të madhe.

Kjo është arsyeja pse reagimi i Hungarisë ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është një problem serioz. Për fqinjët e saj në Evropën Qendrore dhe BE-në në tërësi, Hungaria po humbet besueshmërinë si anëtare e komunitetit evropian.

Përpara pushtimit, Katërshja e Vishegradit – Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia – i minimizonin mosmarrëveshjet për të bashkëpunuar në fusha me interes.

Por gradualisht ky bashkëpunim u ngushtua në fushëveprim.

Në një masë të madhe, arsyeja ishte përpjekja e qeverisë hungareze të Viktor Orban për të ndërtuar lidhje më të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë pas vitit 2010.

Për shkak se politika e Orbanit nuk ndryshoi pas aneksimit rus të Krimesë në 2014, u bë e vështirë për Katërsjen e Vishegradit që të mbante një qëndrim Të përbashkët në mbështetje të fqinjëve lindorë të BE-së, përfshirë Ukrainën.

Megjithatë, deri në pushtimin e Rusisë më 24 shkurt, të katër vendet pranuan se kishin perceptime të ndryshme për kërcënimin e paraqitur nga Moska – madje edhe qëndrimin ekstrem të Hungarisë, e cila nuk e konsideronte Rusinë fare një kërcënim sigurie.

Në të njëjtën kohë, Hungaria ka pasur mosmarrëveshje të shumta ligjore dhe politike me BE-në pasi Orban e çoi vendin nga demokracia drejt autoritarizmit.

Ka të dhëna për shkelje të lirive kushtetuese, veçanërisht lirisë së shprehjes dhe korrupsionit të nivelit të lartë. E gjithë kjo ndodhi teksa shtetet më të mëdha të BE-së mbyllën sytë. Fidesz, partia e Orbanit, ishte deri vitin e kaluar në Partinë Popullore Evropiane, më e madhja në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, në kohë lufte, testi i përkatësisë në komunitetin e demokracive është i thjeshtë.

Prova e tij është shkalla në të cilën një aleat është i gatshëm të bashkëpunojë për të mbrojtur vlerat dhe interesat e përbashkëta, të tregojë solidaritet me viktimën dhe të dënojë e ndëshkojë autorin.

Hungaria nuk bën pothuajse asnjë nga këto.

Të tjerë evropianë qendrorë – baltikët, çekët, polakët dhe sllovakët – janë në krye të përpjekjeve të BE-së për t’i ofruar Ukrainës ndihmë politike, pajisje ushtarake dhe ndihmë humanitare.

Prioriteti i Hungarisë është të minimizojë ndikimin financiar të luftës dhe të garantojë dërgesat gazit rus në vend. Kjo përshtatet me qasjen tregtare të Hungarisë ndaj politikës së jashtme dhe të energjisë, e cila shpërfill konsideratat evropiane të sigurisë dhe solidaritetin rajonal.

Në parim, Hungaria miraton vendimet e BE-së dhe NATO-s, por pengon zbatimin e tyre dhe në fakt favorizon Rusinë.

Ajo nuk i lejon aleatët të dërgojnë armë në Ukrainë përmes territorit të saj. Gjithashtu nuk ka gjasa që të bjerë dakord për një embargo ndaj gazit rus, apo edhe për blerje të përbashkëta të gazit nga BE.

Hungaria gjithashtu ka hezituar të dënojë mizoritë ruse në Ukrainë, siç është masakra në Bucha.

Orban madje e përshkroi presidentin Volodymyr Zelensky si kundërshtarin e tij.

Rusia shfrytëzon qëndrimin e Hungarisë për të nxjerrë në pah mosmarrëveshjet perëndimore mbi luftën.

Problemi i besueshmërisë përkeqësohet nga mungesa e një shpjegimi logjik përse Hungaria nuk mund të shkëputet politikisht nga Rusia. Qëndrimi i Hungarisë e ka humbur favorin e Polonisë, dikur partneri i saj më i ngushtë. Mbështetja e madhe në furnizimet ruse me energji, të cilave shpeshherë i referohet qeveria hungareze, nuk është një shpjegim i mjaftueshëm.

Sllovakia, e cila është edhe më e varur prej tyre, dërgon armë në Ukrainë.

Demokracitë në mbarë botën po i përgjigjen me vendosmëri agresionit të Rusisë. Është një moment vendimtar.

Komuniteti i demokracive po mbron rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Për të rindërtuar bashkëpunimin kuptimplotë midis Katërshes së Vishegradit dhe për të rifituar besimin e partnerëve të saj më të afërt, Hungarisë do t’i duhet të provojë se është pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët.

Kjo do të kërkojë një ndryshim thelbësor të qëndrimit të saj ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?