MENU
klinika

"Rada"

Si u zbulua ngarkesa me kokainë në Durrës?

18.05.2022 - 11:56

Trafikantët e kokainës kanë gjetur një mënyrë tjetër për të bërë të mundur trafikimin e saj.

Nga kontejnerët me banane, tashmë trafikantët po e transportojnë kokainën nëpërmjet anijeve me ngarkesë qymyri. Policia e Durrësit, nëpërmjet informacioneve nga ndërkombëtarët ka bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge në një anije që transportonte qymyr nga Kanadaja drejt Shqipërisë, por përpara se të mbërrinte në portin e Durrësit ka bërë edhe një ndalesë në një nga portet e Kolumbisë, ku edhe dyshohet të ketë marrë ngarkesën.

ITINERARI

Mësohet se anija është e “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe, ishte nisur nga porti i Monrealit në Kanada me datë 2 prill, ndërsa më pas në datë 5 prill ka mbërritur në portin e Baie Comeau (Kanada), në datën 21 prill anija është ankoruar në portin e Port-au prince Haiti (Haiti) ndërsa me datë 26 prill ka bërë stacionin e fundit para se të mbërrinte në portin e Durrësit në portin Barranquilla në Kolumbi. Në datën 16 maj, anija “Unistream” me kapiten një shtetas rus mbërriti në portin detar të Durrësit.

Kanë qenë partnerët ndërkombëtarë që kanë sinjalizuar Policinë Shqiptare për sasinë e drogës dhe më pas është kryer edhe operacioni nga Task-Forca e Durrësit që ka zbuluar kokainën në anijen që sillte qymyr nga Kolumbia. Ndërkohë, është marrë në pyetje ekuipazhi dhe gjatë kontrolleve i ka shoqëruar vetë kapiteni, i cili është shprehur se nuk mban përgjegjësi për ngarkesën dhe iu tha se kanë kontrolluar dhe një ditë më parë, por nuk gjetën asgjë. Kontrolli i parë me qen dështoi. Më pas ekspertët e Task-Forcës së portit nisën të shkarkonin qymyrin.

SASIA E DROGËS

Fillimisht skepi kapi një çantë, e cila u ça dhe dolën rreth 25 pako afro 1 kg secila me kokainë. Më pas, gjetën dhe një çantë tjetër me rreth 28 pako. Policia ka marrë në pyetje kapitenin rus dhe pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe. Ata deklaruan se nuk ka dijeni për pakot me drogë. Janë pyetur dhe sipërmarrësit që kishin porositur qymyrin, por dhe ata mohuan të kenë informacion për kokainën. Deri më tani nuk ka asnjë person të ndaluar nga policia. Ndërsa kontrollet në anije do vijojnë. Dyshohet se droga është ngarkuar në Kolumbi. Nuk dihet nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit ishte përdorur si tranzit nga trafikantët. Vetëm në dy vitet e fundit në portin e Durrësit janë zbuluar mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kokainë e ardhur nga Ekuadori dhe Kolumbia apo nga vende të tjera prodhuese të Amerikës Latine.

Rekordi i kokainës i kapur mes ngarkesave me banane

Porti Detar i Durrësit gjatë vitit të shkuar u kthye në një nga destinacionet kryesore në rajon për futjen e kokainës nga Amerika Latine. Në këtë portë hyrëse ndërkombëtare u zbuluan mbi 10 raste të trafikimin të kokainës, me një peshë totale mbi 1 ton, e cila futej në tokën shqiptare nëpërmjet kontejnerëve të kompanive të ndryshme të transportit. Në të gjitha rastet e sekuestrimit të kokainës, policia dhe prokuroria nuk mundi dot në asnjë rast të zbulonte rrjetin, por u mjaftua vetëm me arrestimin e shoferëve të kamionit, administratorëve të kompanive që kishin porositur mallin (import bananesh nga Amerika Latine).

Administratorët e arrestuar janë: Selim Çekaj që iu gjet në kontejnerin me banane 49 kg kokainë, babai i Arbër Çekaj, të cilit në vitin 2019 iu sekuestrua sasia rekord prej 600 kg kokainë, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku (kompania “Masabi Fruits”) në kontejnerin me banane të të cilëve u zbulua 143 kg kokainë që ishte nisur nga Ekuadori. Të dy të arrestuarit janë liruar nga gjykatat për shkak të mungesës së provave. Sasia më e madhe e sekuestruar përgjatë vitit të shkuar është ajo që u gjet në kamionin e drejtuar nga një shtetas maqedonas i quajtur Nazif Ajrofski me peshë 324 kilogramë. Por ajo që bëri më shumë bujë ishte kompania “Alba Exotic Fruit”, së cilës iu sekuestrua pesë herë kokainë në Portin e Durrësit me peshë totale mbi 50 kg.

Operacioni i koduar “Rada” u zhvillua në harkun kohor të katër muajve, duke u zbuluar një sërë ngarkesash me kokainë në kontejnerë të ndryshëm të ardhur nga Ekuadori. Për drogën, janë arrestuar vëllezërit, Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni. Dauti u prangos gjatë këtij viti në një lokal në Tiranë edhe pse ishte në kërkim nga autoritetet prej muajsh. Gjithashtu më 17 maj të vitit të shkuar, një sasi prej 400 kilogram kokainë e futur nga porti i Durrësit u sekuestrua në Kosovë. Këto janë sasitë e kapura të kokainë, që shkojnë në rreth një ton, ndërkohë që nuk dihet sasia e drogës që ka hyrë në qarkullim në vendin tonë jo vetëm nga ky port, por edhe nga pikat e tjera kufitare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kompania që dyshohet se ka porositur mallin!

Gazetarja rrëfen detaje nga droga e kapur në portin e Durrësit!


Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin