Skënderbeu është shpallur mbrëmjen e sotme kampion i Shqipërisë në volejboll për femra, titull që vjen në Korçë pas 36 vitesh (hera e fundit, viti 1986). Ky është titulli i gjashtë kampion për Skënderbeun në historinë e tij, duke u rikthyer në lavdinë e dikurshme të rrjetës shqiptare.
Ekipi korçar fitoi sot në “Asllan Rusi” 3-1 ndaj Tiranës në ndeshjen e katërt finale play off, duke fituar 3-1 edhe serinë e takimeve. Tifozë të shumtë korçarë kishin ardhur në kryeqytet për të mbështetur skuadrën dhe në fund u larguan me një trofe të merituar, duke bërë që ekipi të ndjehej si në shtëpi.
Tirana nuk arriti të përsëritë atë paraqitje të mirë që bëri në Kupën e Shqipërisë, ku doli fituese. Madje Tirana e sotme ishte larg edhe asaj që u duk pak ditë më parë, kur fitoi sfidën e dytë. Këtë herë Skënderbeu ishte më superior dhe i kujdesshëm në fushë, duke mos toleruar në momentet vendimtare.
Ndeshja e sotme (zgjati dy orë) nisi më mirë për Skënderbeun, që ka epërsi në setin e parë e fiton 25-19. Nën këtë ritëm, korçarët luajnë e dominojnë edhe në setin e dytë, ku fitojnë 25-23. Mjaft dramatike loja në setin e katërt, ku Tirana nuk dorëzohet e fiton në pikët shtesë 26-24, duke rihapur ndeshjen.
Në setin e katërt loja komandohet në përgjithësi nga Skënderbeu, që ka një epërsi të lehtë dhe e ruan atë deri në fund, duke fituar 25-23 dhe krejt ndeshjen 3-1, duke nisur festën.
Një triumf i merituar për korçaret, që e dominuan kampionatin nga java e parë deri tek e fundit. Përforcimet e kryera në fillimin e sezonit dhanë rezultat, duke sjellë në Korçë një titull që mungonte prej më shumë se 3 dekadash