MENU
klinika

Nga Adriatik Doci/ Srebrenica

PS kërkoi të përfshihej dënimi i bashkëpunimit të Berishës me Millosheviçin!

21.05.2022 - 20:31

Mazhoranca propozoi ndryshimin e tekstit të rezolutës duke shtuar dënimin e furnizimit me naftë të Millosheviçit nga Berisha në 1995 kur ndodhi edhe masakra e Srebrenicës. Tritan Shehu: Rezoluta nuk ndryshon, votojeni ose mos e votoni

Partia Socialiste i ka kërkuar përfaqësuesve të ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës kompromis për të hartuar një rezolutë të dakordësuar, për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, duke përfshirë edhe elemente të tera në tekstin e dokumentit. Konkretisht, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka kërkuar propozuesit të rezolutës, deputetit Tirtan Shehu, që në tekstin e rezolutës të përfshihej edhe dënimi i bashkëpunimit të Sali Berishës me Millosheviçin, para, gjatë dhe pas masakrës së Srebrenicës.
Balla e ka vënë theksin tek thyerja e embargos së OKB-së nga Sali Berisha, duke furnizuar me naftë makinerinë e luftës së me Millosheviçit, pikërisht në vitin 1995, që përkon me masakrën e ‘kasapit të Beogradit’ në Srebrenicë. Ofertën për kompromis PS-ja e ka artikuluar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, në 11 maj 2022, një ditë para se rezoluta sipas versionit të ‘Rithemelimit’ të rrëzohej në Parlament.

“Nëse në korrik të vitit 1995 ne kemi ende diçka të pashprehur që unë jam dakord, dhe këtu po të ftoj pastaj kompromisin; meqenëse ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 1995, bujrëm, të ndëshkojmë me deklaratë edhe Presidentin e Shqipërisë së asaj kohe, Sali Berisha, Parlamentarizmi dhe politika janë arti i kompromisit dhe unë po të ofroj kompromisin. Kompromisi është, bujrëm, të bëjmë një deklaratë për këtë çështje, ku pjesë të deklaratës së Kuvendit, të rezolutës së Kuvendit, të jetë dënimi i bashkëpunimit të Sali Berishës, të kompanisë “Shqiponja” në furnizimin me karburant të regjimit të Milosheviçit, i cili ua transferonte Mlladiçit dhe Karaxhiçit që vrisnin jetë të pafajshme. Dakord, bujrëm, si pjesë e rezolutës të përfshihet edhe kjo çështje; nëse jo, s’biem dakord. Meqenëse ngjarja ka ndodhur në korrik 1995, meqenëse ju e keni furnizuar makinerinë vrasëse, dhe s’ka asnjë dyshim, se ky është një fakt që tashmë dihet botërisht, natyrshëm, të dënojmë edhe ata që e furnizuan makinerinë, që thyen embargon e Kombeve të Bashkuara, që shtrinë tubat në liqenin e Shkodrës për të furnizuar me karburant makinerinë vrasëse dhe e bëjmë rezolutën”, ka propozuar Balla.

Furnizimi me naftë i Millosheviçit tashmë është pranuar publikisht edhe nga vetë Sali Berisha. Furnizimi me naftë është bërë përmes kompanisë ‘Shqiponja’ të PD-së, ku si për ironi, administrator i saj ka qenë pikërisht Tritan Shehu. Gjithsesi, deputeti Shehu nuk e ka pranuar propozimin e Ballës për ndryshimin e tekstit të rezolutës së publikuar.

“Duhet të jemi seriozë, këtu ka një procedurë parlamentare, është paraqitur një rezolutë nga një grup kolegësh dhe kjo nuk ndryshon, të cilën ose mund ta votoni, ose mund të mos e votoni. Dakord, mund të mos e votoni, atëherë e hapim debatin nesër në seancë plenare… Këtu nuk bëhen diskutime teorike të heqim këtë pjesë apo atë pjesë, sepse nuk ka të tilla gjëra, ky është materiali i saktë ose merreni, ose lëreni. Kaq. Nëse nesër nuk futet në rend dite, atëherë në atë debatin 10-minutësh që na përcakto Rregullorja do të diskutojmë për këtë çështje, pastaj vazhdojmë përsëri. Por ta keni parasysh se Rregullorja e thotë qartë: brenda 30 ditësh duhet futur në rend dite”, ka pohuar deputeti Shehu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN