Pas bisedës mes presidentëve të Serbisë dhe Rusisë për marrëveshjen e re të gazit ndërmjet dy vendeve, publiku mësoi më shumë detaje rreth gazit nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër mësoi se në agjendë ishte edhe Kosova.
Përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas vizitës në depon e mallrave rezervë, vendosi të japë detaje përmes një deklarate për media, presidenti i Rusisë e ka paraqitur informacionin në një deklaratë të shkurtër në faqen zyrtare të Kremlinit.
Serbia është kryesisht e varur nga gazi rus dhe marrëveshja mes dy vendeve skadon më 31 maj. Prandaj, Vuçiçi dhe Putini biseduan në telefon më 29 maj për marrëveshjen e re dhe kushtet për Serbinë, që një prej shteteve të rralla që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës zyrtare, pas pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, Serbia mbështeti disa rezoluta të OKB-së dhe BE-së, në të cilat dënoi agresionin kundër Ukrainës.
Për këtë shkak, por edhe për faktin që Rusia pezulloi dërgimin e gazit për Bullgarinë fqinje, si dhe për disa vende të tjera, biseda mes Vuçiçit dhe Putinit shtoi interesimin e mediave botërore.
Ja çfarë dihet pas këtij takimi, por edhe ajo që mbeti e panjohur.
Kontratë trevjeçare
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një deklaratë për media ka thënë se kontrata e re do të nënshkruhet për tre vjet. Marrëveshja do të nënshkruhet me kompaninë shtetërore ruse të energjisë Gazprom.
Të njëjtën kontratë e rinovuan edhe Hungaria dhe Moldavia. Ndërkohë që Hungaria nënshkroi një marrëveshje 15-vjeçare, Rusia u pajtua me Moldavinë për një kontratë pesëvjeçare.
Nuk dihet se çfarë ka ndikuar në afatin e dakorduar të kontratës së shpallur për Serbinë. Në një deklaratë zyrtare nga Kremlini nuk përmendet afati për të cilin është zgjatur kontrata.
Çmimi dhe sasia ende nuk dihen
Sipas asaj që ka thënë presidenti i Serbisë, me Putinin nuk ka biseduar për çmimin e gazit për Serbinë. Në nëntor të vitit 2021, Vuçiç u mor vesh me Putinin për një çmim gjashtëmujor prej 270 dollarësh për një mijë metra kub.
Më 29 maj, Vuçiçi tha se pret që çmimi i gazit për Serbinë, sipas formulës së rënë dakord, do të varet nga çmimi i naftës dhe se, madje edhe kur nafta është më e shtrenjta, çmimi i gazit që do të paguajë Serbia do të jetë nga 310 deri në 408 dollarë për një mijë metra kub gaz. Ai tha se tashmë i kishte dërguar një letër Gazpromit për të diskutuar për sasitë.
Përderisa Qeveria hungareze i mban sekrete detajet e marrëveshjes së nënshkruar me Rusinë, Moldavia njoftoi në fund të vitit 2021 se kishte rënë dakord për një çmim prej 450 dollarësh për një mijë metër kub gaz rus.
Në deklaratën e tij, presidenti i Serbisë po ashtu tha se çmimi për Serbinë do të varet nga çmimet në tregun botëror.
Çfarë thotë deklarata e Kremlinit?
Ndryshe nga presidenti i Serbisë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka publikuar informacione për bisedën në faqen zyrtare të Kremlinit.
Në komunikatën e shkurtër, në pjesën për gazin, nuk jepen detajet e paraqitura nga Vuçiqi. Aty thuhet se është rënë dakord që Rusia “do të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gaz natyror pa pengesë”.
Për Ukrainën
Që të dy, Vuçiçi dhe Putini, në deklaratë, gjegjësisht, komunikatë, kanë përmendur se kanë biseduar për situatën në Ukrainë.
Përderisa deklarata zyrtare e Kremlinit nuk përmend asgjë më shumë për këtë temë, Vuçiç u tha gazetarëve, pas bisedimeve me Putinin, se ai ia theksoi Putinit qëndrimin e Serbisë se Beogradi do të donte që “paqja në Ukrainë të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur, ndërkaq që presidenti rus dha informacione nga këndvështrimi i vet”.
“Më tha se ka një marrëveshje të ofruar, kontratë, me të cilën ata janë njohur, e cila është në tryezë në Moskë, Kiev dhe në qendrat e tjera të Perëndimit”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se kishte dëgjuar disa elemente të marrëveshjes, por se Serbia është një vend i vogël për t’’i zgjidhur ato probleme dhe se “vetëm shpreson se do të vendoset paqja”.
Vuçiçi nuk i shpalosi detajet e marrëveshjes.
Në komunikatën e Kremlinit, këto detaje nuk përmenden.
Për Kosovën
Në deklaratën e tij, presidenti i Serbisë nuk ka përmendur se është folur edhe Kosova.
Megjithatë, ky informacion bëhet i ditur në komunikatën e Kremlinit, ndonëse pa më shumë detaje.
Bisedimet për këtë temë u bënë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, në bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 26 prill, tërhoqi një paralele midis ish-krahinës së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe pjesëve të Ukrainës që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, gjë që, ndryshe nga rasti i Kosovës, është dënuar nga shumica në bashkësinë ndërkombëtare.
Forcimi i marrëdhënieve
Në komunikatën e Kremlinit theksohet se të dy burrështetasit diskutuan gjithashtu lidhur me hapat për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik.
“Është rikonfirmuar gatishmëria e ndërsjellë për forcimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, në bazë të lidhjeve tradicionalisht të ngushta mes popujve të të dyja vendeve”, thuhet në komunikatën e Kremlinit.
Forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është paralajmëruar në momentin kur Rusia po përballet me paralajmërimet për pakon e gjashtë të sanksioneve të Bashkimit Evropian, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Serbia, deri më tash, nuk është harmonizuar me asnjë nga këto pako të sanksioneve.
A po shkon Lavrovi në Beograd?
As Putini dhe as Vuçiçi nuk e kanë komentuar informacionin e publikuar nga disa media në Serbi se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të shkojë në Beograd, më 7 qershor.
Nëse ky informacion konfirmohet, do të ishte vizita e parë e tillë e nivelit të lartë nga një zyrtar rus, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Tri ditë më vonë, sipas mediave gjermane, kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë Serbinë./REL