Tre gjyqtare kryesore dhe tre asistente do ta ndajnë drejtësinë për herë të parë në histori në një turne të madh ndërkombëtar të meshkujve. Stephanie Frappart e kishte thyer akullin në Evropë duke u bërë arbitrja e parë femër që e drejtoi një ndeshje të Champions dhe një të kualifikimeve të Evropianit.
Gjithashtu ka drejtuar takime edhe në Ligue 1, të gjitha këto në konkurrencën e meshkujve. Krahas francezes, Salima Mukansanga nga Rëanda dhe Yoshimi Yamashita nga Japonia, po ashtu do t’i drejtojnë ndeshjet në “Katar 2022”, që do të nisë më 21 nëntor dhe do të mbyllet më 18 dhjetor të këtij viti.
Ndërkaq, asistentet e tjera do të jenë Neuza Back (Brazil), Kathryn Nesbitt (SHBA) dhe Karen Diaz Medina (Meksikë). “Kjo e përmbyll një proces të gjatë, i cili kishte nisur vite më parë me zhvillimin e referimit të femrave në turnetë e juniorëve dhe të seniorëve, të organizuara nga FIFA”, – ka thënë shefi i Komitetit të Referëve të FIFA-s, Pierluigi Collina.