Tre punonjës të policisë së Kavajës janë vënë në pranga pas ngjarjes se rëndë të ndodhur ne ambientet e paraburgimit, ku 31-vjeçari Ilvi Meta i dha fund jetës duke u vetëvarur.
Të arestuarit janë:
– Bexhet Berberi, me detyrë inspektor
– Rushit Kola, me detyrë inspektor
– Petrit Brahimaj, me detyrë nen komisar
Berberi dhe Kola kanë qenë policë roje tek dhoma e paraburgimit.
Vetëvraja e një 31 vjeçari në ambientet e Komisariatit të Kavajës mbrëmjen e së mërkurës ishte një tjetër lajm tragjik për shoqërinë shqiptare.
Ilvi Meta i cili ishte ndaluar ditën e mërkurë rreth orës 12:00 i ka dhënë fund jetës brenda qelisë duke u vetëvarur, vetëm 6 orë pas shoqërimit nga ana e policisë. I riu u ndalua me akuzën për vjedhje, akuzë për të cilën ishte dënuar edhe më parë.
Ndalimi i tij ditën e mërkurë ishte bërë pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në datën 2 prill në një banesë në Kavajë, për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash.
Sipas të njëjtave burime ai ishte identifikuar nga shenjat e gishtave të mbetura aty.
Ndërkohë menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë është ngritur një grup hetimor, si dhe kanë shkuar me urgjencë në Komisariatin e Kavajës Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Lorenc Panganika, dhe disa oficerë të SHÇBA-së.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babai i viktimës Ilvi Meta, Agim Meta, i cili hedh akuza ndaj policisë, ndërsa ka deklaruar se djali i tij u akuza për vjedhjen e një dere alumini.
Po për këtë ngjarje ka reaguar edhe opozita përmes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të PD, Dashnor Sula, të cilën akuzojnë policinë, duke thënë se i riu nuk është vetëvrarë, por ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar brenda qelisë nga uniformat blu.