Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç gjendet në Davos, ku nesër do të marr pjesë në Forumin Botëror të Ekonomisë. Ai është ankuar për tema dhe situata të rënda për Serbinë, duke thënë se disa po mundohen që situatën ta bëjnë edhe më të vështirë për shtetin e tij.
Ai ka folur edhe për dialogun me Kosovën dhe kryeministrin Kurti. “Si do të duket? Kurti duke thënë fjalë të tmerrshme për Serbinë, po ju tregoj që tani. E kam dëgjuar 500 herë tashmë – ai do të thotë që ky Putini i vogël do të shkaktojë luftëra në Ballkan me urdhrat e Putinit të madh. Kjo është retorika e tij”, ka thënë Vuçiç.
Sa i përket asaj që flitet në Davos në tavolinat e përfaqësuesve të ndryshëm botërorë, Vuçiq është ankuar për përkrahjen e madhe që po i jepet Ukrainës.
“Shumë mendime mund të dëgjohen në Davos, vetëm për Ukrainën diskutohet. Jetojmë në një botë ku dominon histeria dhe jo arsyeja. Ne kemi marrë pozicion të qartë, duke dënuar sulmin nda Ukrainës, por mendimet e disave s’mund t’i ndryshosh dhe s’mund të përçosh ndonjë mesazh racional”, ka thënë Vuçiç. /Express