MENU
klinika

Analiza

Zgjerohet NATO, thellohet ndarja lindje-perëndim!

14.05.2022 - 09:27

Gati tre muaj pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, ne të gjithë duhet të kemi kujdes nga pasojat gjeopolitike që na presin.

Udhëheqësit botërorë po mendojnë rindarjen e Evropës, që do të kërcënojë paqen afatgjatë.

Finlanda dhe Suedia po vendosin nëse do të bëjnë një aplikim zyrtar për t’u anëtarësuar në NATO.

Opinioni publik midis finlandezëve dhe suedezëve tani po shkon mbi 50 për qind pro anëtarësimit, një rritje e konsiderueshme në Suedinë tradicionalisht neutrale dhe Finlandën tradicionalisht të kujdesshme, e cila ka një kufi afërsisht 800 milje me Rusinë.

Presidenti Joe Biden nuk ka reaguar, ndërsa Julianne Smith, ambasadorja e SHBA në NATO, e ka mirëpritur mundësinë.

Të gjitha palët e interesuara duhet të marrin frymë thellë dhe të ngadalësojnë ritmin. Kërcënimi që Rusia të pushtojë Finlandën ose Suedinë është i largët.

Por pranimi i tyre në aleancën ushtarake do të ripërtërijë dhe thellojë ndarjet e Evropës të shekullit të 20-të.

Synimi i menjëhershëm i NATO-s duhet të jetë të ndihmojë forcat ukrainase të zmbrapsin Putinin, aq sa të jetë i gatshëm të përfshihet në negociata serioze për paqen.

Por, Putini nuk do të vijë kurrë në tryezën e bisedimeve vetëm për të ratifikuar një disfatë.

Shndërrimi i Rusisë në Korenë e Veriut përmes sanksioneve thjesht do ta shtyjë atë më afër Kinës.

Për më tepër, një Rusi e dobët dhe e poshtëruar do të thotë problem i përhershëm në politikën evropiane dhe globale.

Pyetja e vërtetë këtu duhet të jetë se si të arrihet rezultati më i mirë për të gjithë Evropën: një Evropë “e plotë dhe e lirë” dhe “në paqe”, siç shpalli George HW Bush në Berlin në 1989.

Rusia është pjesë e atij kontinenti. Përpjekjet historike për të gjetur “qendrën e Evropës” të çojnë në Poloni, Ukrainë dhe Bjellorusi. Rusia i përket Evropës dhe Azisë, por gati 80 për qind e popullsisë së saj dhe pothuajse të gjitha qytetet e saj kryesore janë në perëndim të maleve Urale.

Ndarja e shekullit të 20-të midis Evropës Lindore dhe Perëndimore ishte më shumë ideologjike sesa gjeografike.

Ishte një ndarje midis zonave të kontrolluara nga trupat sovjetike në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe atyre të kontrolluara nga vendet e tjera aleate. Ajo u bë vija ndarëse midis kapitalizmit dhe komunizmit, demokracisë dhe totalitarizmit.

Që nga viti 1989, ajo është bërë kryesisht një ndarje ushtarake midis NATO-s dhe Rusisë, dhe së dyti një ndarje ekonomike midis Moskës dhe BE-së.

Rusia kërkon të parandalojë vendet që dikur ishin pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike që të bashkohen me grupin kundërshtar. E vetmja rrugëdalje nga ky ngërç është zhvillimi i institucioneve të sigurisë dhe ekonomike, ku të gjitha vendet evropiane mund t’u bashkohen përfundimisht.

Drejtuesit e biznesit duhet të mendojnë në të njëjtën mënyrë, duke u fokusuar te njerëzit dhe jo te gjeopolitika.

Did NATO Promise Russia Not To Expand A Single Inch East? | Tech ARP

Udhëheqësit e SHBA-së, MB-së dhe BE-së duhet të specifikojnë se në këmbim të mbështetjes ushtarake dhe ekonomike, Ukraina duhet të jetë e gatshme të negociojë për garancitë e saj të sigurisë, të drejtat gjuhësore për ukrainasit që flasin rusisht dhe një arkitekturë të ardhshme evropiane të sigurisë.

Udhëheqësit finlandezë dhe suedezë duhet të njoftojnë se megjithëse kanë parë prej kohësh përfitimet e neutralitetit ushtarak, agresioni i Putinit i ka bërë ata të mendohen mirë. Kjo duhet të nxisë diskutime të reja për sigurinë, duke përfshirë një marrëveshje të mundshme midis SHBA-së, Britanisë së Madhe, të gjitha shteteve nordike dhe çdo shteti tjetër evropian të gatshëm, për të dalë në mbrojtje të njëri-tjetrit nëse sulmohen.

Putin e ka bërë “një arkitekturë të re evropiane të sigurisë” një term kapitullimi, siç thotë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Por Evropa nuk do të jetë kurrë vërtet paqësore nëse nuk i integron vendet e Evropës Lindore, përfshirë Rusinë, në strukturat e saj ekonomike dhe të sigurisë.

Kjo nuk do të ndodhë me Putinin në detyrë, as ndoshta me pasardhësit e tij të menjëhershëm.

Por le të mos i dënojmë rusët, ukrainasit, moldavët, gjeorgjianët, bjellorusët dhe shumë të tjerë për një shekull tjetër përjashtimi.

Shkrimtari është shef ekzekutiv i qendrës së mendimit “Amerika e Re” dhe shkrimtar i FT.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al