Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar 7 korrikun, si pikënisjen e në sezoni protestash kundër qeverisë. Gjatë një takimi që ka zhvilluar me gratë e LDGSH-së, Berisha tha se ka një pakënaqësi shumë të madhe ndaj qeverisë.
Berisha tha se PD duhet të fuqizohet përmes afrimit të figurave të reja politike si dhe demokratët e viteve 90’.
“Para se të flisja për protestën që kemi në 7 korrik, ne çfarë nuk kemi në avantazh, koha është e ngjeshur dhe e shkurtër sepse kemi humbur shumë kohë në të shkuarën. Duhet të punojmë në shumë plane. Të anëtarësojmë, të ftojmë gra dhe vajza të reja. Të zgjojmë nga apatia të gjithë demokratët, të rikthejmë demokratët nga 90’ deri më sot. Do fuqizojmë forcën tonë politike.
Ne shpallëm datën 7 korrik ditën e protestës kombëtare. E shpallëm këtë datë sepse konstatonim se pakënaqësia është shumë e madhe ndaj kësaj qeverie. Nëse do e shtynim protestën për një kohë optimale, do thellohej dëshpërimi tek njerëzit. Ne e kemi të hapur. Platforma jonë, krahas parlamentit do jetë protesta dhe vetëm protesta. Së dyti, ne protestën e datës 7 korrik e kemi preludin, do bëjmë më të madhen që kemi organizuar. Kemi preludin e sezonit të protestave” – tha Berisha.