MENU
klinika

Gjithë skena e krimit në 20 minuta

BIRN: Çastet fatale të Pjerin Xhuvanit!

30.06.2022 - 19:08

Më 21 prill 2021 në rrugën “Lef Nosi” në Elbasan, oficerët e Policisë së Shtetit do të duhej të kishin shoqëruar për sqarime shtetasin Mehmet Greca, i njohur edhe si Met Dafllaku, si dhe mbështetësit e Partisë Demokratike që e denoncuan atë për blerje votash, sipas një vendimi për masë sigurie të Gjykatës së Elbasanit që BIRN e disponon.

Por në vend që të zbatonin ligjin, dy zv.drejtuesit e policisë dhe gjashtë vartësit e tyre në vendngjarje lejuan përshkallëzimin e ngjarjes deri në përplasje të dhunshme me armë, në të cilën, katër persona mbetën të plagosur dhe një politikan vendës, Pjerin Xhuvani, mbeti i vrarë.

Prokuroria e Elbasanit akuzon drejtuesit e policisë, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për “shpërdorim të detyrës” dhe “deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore” lidhur me ngjarjen që tronditi procesin zgjedhor në qytetin e Elbasanit. Më 24 qershor, Nushi dhe Palla u lanë në “arrest shtëpie”, ndërsa gjashtë punonjës të repartit “Shqiponja” u pezulluan nga detyra me të njëjtat akuza.

Vendimi i Gjykatës së Elbasanit për masat e sigurisë tregon se si policët lejuan me mosveprimin e tyre që një incident parazgjedhor të përshkallëzohej në një përplasje të dhunshme me pasoja të rënda dhe kjo është arsyeja se pse gjithsej tetë efektivë policie janë marrë të pandehur për shpërdorim detyre.

“Sipas akteve hetimore rezulton se asnjë prej punonjësve të policisë nuk kanë kryer asnjë veprim në përputhje me detyrimin ligjor të detyrës së tyre funksionale deri në momentin pasi ka mbaruar ngjarja,” shkruhet në vendimin e gjykatës, e cila vë në dukje se të gjithë personat e përfshirë në ngjarje kanë mundur të arratisen nga vendngjarja bashkë me armatimet që u përdorën, ndërsa të ndaluarit e vetëm ishin mbështetësit e Partisë Demokratike të cilët nuk ikën nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja që përfundoi me një të vrarë dhe katër të plagosur zgjati gjithsej 20 minuta.

Policia e Shtetit pretendoi në kohën kur ndodhi vrasja se ndalimi i shtetasit Mehmet Greca nga mbështetësit e opozitës ishte një pengmarrje, por hetimi mbi rolin e policisë thekson të kundërtën, që policët duhej ta kishin konsideruar njoftimin e opozitës si kallëzim penal ndaj Grecës dhe duhej ta kishin shoqëruar atë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Argumenti i prokurorisë mbështetet te konceptet themelore të rolit të policisë, sipas përkufizimeve të ligjit Për Policinë e Shtetit, të tilla si detyrimi i saj për kontrollin e territorit, lejimi i përdorimit të forcës proporcionale në rast rreziku.

Elbasani është një zonë e njohur për prani të strukturave të krimit të organizuar me një seri vrasjesh mafioze të regjistruara gjatë viteve të fundit, ndërsa ekzistojnë pikëpyetje të mëdha nëse policia e shtetit ka apo jo kontroll efektiv mbi territorin.

Dosja hetimore mbi përgjegjësinë e forcave të sigurisë të përfshira në ngjarjen e 21 prillit 2021 jep të dhëna të detajuara mbi mënyrën se si rrodhën gjërat deri te shpërthimi i pistoletave.

Zgjedhje, krim dhe policia duarlidhur

Shqipëria ishte nën ethet e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 25 prill 2021, të cilat, Partia Socialiste i fitoi mes akuzave për blerje votash dhe përdorim të strukturave të krimit të organizuar në fushatë elektorale.

Partia Demokratike në opozitë u ankua disa herë publikisht dhe dorëzoi kallëzime penale, por autoritetet, përfshirë policinë dhe prokuroritë, nuk shfaqën ndonjë entuziazëm për të hetuar akuzat e ngritura. Ndërsa zgjedhjet u afruan, në terren filluan të shfaqen mbështetës të opozitës, të cilët u duk sikur patën vendosur të marrin vetë ligjin në dorë, duke bllokuar automjete të dyshuara të palës kundërshtare.

Në Maqellarë të Dibrës, më 22 prill, dy punonjës të bashkisë së Bulqizës u ndaluan nga mbështetësit e opozitës dhe më pas, nga prokuroria, nën akuzën e blerjes së votave në një ngjarje që u transmetua në Facebook në kohë reale për të mbajtur kombin të gozhduar para ekraneve.

Një ditë më parë, më 21 prill në Elbasan, një tentativë e ngjashme nga mbështetësit e opozitës përfundoi me gjakderdhje. Ndryshe nga Dibra, ku përplasja mes palëve rezultoi me shumë bujë por pa përleshje, në Elbasan, një nga zonat më të nxehta të krimit në vend, mbështetësit e opozitës rezultuan të armatosur dhe ish-punonjës policie me përgatitje luftarake.

Në orën 13.47 të 21 prillit, vetëm katër ditë nga zgjedhjet, grupi i mbështetësve të opozitës së përbërë pothuajse tërësisht nga persona me eksperiencë ushtarake, bllokon një automjet pa targa, brenda së cilit gjendej shtetasi Mehmet Greca, i cili njihet në zonë edhe me nofkën Met Dafllaku. Një person me të shkuar penale, Greca ishte dënuar më herët në Mbretërinë e Bashkuar për trafik droge ndërsa më pas u arrestua nga policia shqiptare gjithashtu për posedim droge.

Arjan Hoxha, njëri prej mbështetësve të opozitës, i telefonoi policisë me dyshimin se Greca po përfshihej në manipulim votash. Analiza e pamjeve të një kamere sigurie aty pranë tregoi më vonë se si një forcë e konsiderueshme policore, e përbërë nga gjashtë oficerë dhe dy drejtues, humbi minuta të tëra duke qëndruar në pasivitet, ndërsa në vendngjarje mbërritën figura të tjera mbështetës të Partisë Socialiste, disa prej të cilëve dukshëm ishin të njohur për policinë për lidhje me botën e krimit. Analiza e pamjeve filmike përmend në mënyrë të përsëritur se makinat e mbërritura në vendngjarje “ishin me xhama të errët”.

Prokuroria ia vë fajin mungesës së ndërhyrjes nga policia dhe akuzon drejtuesit se nuk zbatuan ligjin.

“Njoftimi i dhënë nga shtetasi Arjan Hoxha në kuptim të nenit 283 përmbante elementë të një kallëzimi penal të veprës penale, përderisa në mjetin e tij është pretenduar dhe më pas janë gjetur armë të ftohta,” thuhet në vendim, një konkluzion shumë i ndryshëm ky nga deklaratat e policisë në kohën kur ndodhi ngjarja, në të cilën, veprimet e demokratëve u cilësuan si rrëmbim personi.

“Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore dhe agjentëve duhej të ishte vepruar menjëherë duke shoqëruar mjetin i cili ka qenë i patarguar dhe personin i cili udhëtonte me të dhe konkretisht shtetasin Mehmet Greca, po kështu duhej të shoqëroheshin menjëherë shtetasit Arjan Hoxha dhe shtetasit e tjerë me qëllim marrjen e të dhënave në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethana të domoshme për qëllime të hetimit, si dhe kqyrjen dhe sekuestrimin e mjetit në të cilin pretendohej për sende të kundraligjshme,” shkruhet më tej në vendim.

Minutat fatale

Pamjet e një kamere sigurie të sekuestruara nga policia dhe të analizuara tregojnë se i ashtuquajturi grupi i mbrojtjes së votës pranë PD-së mbërriti në vendngjarje në orën 13.47 ndërsa dy drejtuesit e policisë mbërritën në vendngjarje dhjetë minuta më vonë me një automjet “Range Rover” të bardhë nën pronësinë e policisë. Në orën 14.01, tre automjete kalojnë me shpejtësi dhe këto automjete kthehen tre minuta më vonë.

Në orën 14.07 në vendngjarje mbërrin Pjerin Xhuvani, një politikan lokal dhe konfrontohet me mbështetësit e Partisë Demokratike. Vetëm një minutë më vonë shpërthejnë të shtënat. Vendimi i gjykatës nuk përcakton se kush qëlloi i pari, por përcakton se në përplasje u përdorën së paku tre pistoleta, dy prej të cilave ishin përballë me Arbër Paplekajn. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e oficeres së policisë, Xhensila Sota.

“Nga krahu lindor i rrugës kryesore që përkon thuajse përballë vendit që ishte pozicionuar Arbër Paplekaj është qëlluar me dy armë të ndryshme nga persona të paidentifikuar që ishin në vendngjarje dhe që ishin pjesë e dy grupimeve përkrahës të partive politike, e provuar kjo sipas Akteve teknik Balistik,” shkruhet në vendim.

Shpejtësia me të cilën rrodhën ngjarjet nuk janë konsideruar nga prokuroria dhe gjykata për të justifikuar sjelljen e policëve. Sipas tyre, fakti që oficerët nuk vepruan në kohë për të shoqëruar Grecën dhe grupin e mbrojtjes së votave solli përshkallëzimin e konfliktit.

“Në kuptim të Ligjit për policinë e Shtetit, konkretisht në nenin 6 pika 22, trupa e policisë të forcave të posaçme dhe dy zëvendësdrtejtorët të trajtuar për të ndërhyrë në situatë ose konflike të çdo lloji si dhe rasti konkrret, kishte detyrimin ligjor të ndërmerrinin me iniciativë sapo ka kuptuar rrezikun, i cili përkthehet në shtip të menjëhershëm, të vrullshëm dhe të dukshëm të shtetasve, disa prej të cilëve të evidentuar në konflikte të ngjashme të mëparshëm, të kryenin veprime konkrete në kuptimi të pikës 25 të nenit 6 të këtij ligji, shoqërimin, dërgimin e shtetasve në ambientet e policisë si dhe me vazhdimin e mëtejshëm të veprimtarisë hetimore në përputhje me kodin e procedurës penale,” verejnë prokurorët.

“Në rastin objekt hetimi, moskryerja e këtyre veprimeve, shoqërimi i shtetasit Mehmet Greca në mënyrë të menjëhershme, kanë lejuar shtetasit që njiheshin me Mehmet Grecën të marrin territor dhe të dominojnë atë në prani të forcave të policisë së shtetit,” shtojnë më tej prokurorët, të cilët e konsiderojnë rrjedhojë të mosveprimeve të policisë plagosjen e katër personave dhe vdekjen e një personi.

“Një trupë policore e trajnuar për përdorim arme, për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, jetës dhe shëndetit të shtetasve, nuk ka kryer asnjë veprim procedural në momentin që ka marrë dijeni për kryerjen e një vepre penale,”përfundojnë prokurorët./BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Një kamer ka filmuar çdo gjë, duket shumë qartë”

Artan Hoxha zbulon dinamikën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit