Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër të bëhet pjesë e kësaj iniciative.
Në Ohër zhvilon punimet samiti i vendeve që përkrahin iniciativën Ballkani i Hapur. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili e ka mirëpritur pjesëmarrjen e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç në samit, edhe njëherë i ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të bëhet pjesë e kësaj iniciative. “Ftesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është e hapur. Ne i ftojmë të na bashkohen të gjithë. Na priftë e mbara në këto procese që kemi nisur”, ka thënë ndër të tjera kryeministri maqedonasverior, Kovaçevski. Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe se vendi i secilit vend të rajonit është në BE, theksoi Kovaçevski.
Vuçiç përshëndet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç gjendet në Ohër për të marrë pjesë në Samitin e “Ballkanit të Hapur”. Ai ka thënë se nuk e ka problem të flasë me palën kosovare për “Ballkanin e Hapur”. “Nuk e kam problem të flasë me askënd nga Prishtina. Shikoni shkëmbimin tregtar në CEFTA, sot është shumëherë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, ka thënë Vuçiç.
“Ballkani i Hapur është iniciativa më e mirë që kemi pasur për dekada. Ndryshe nga tjerët, nuk kam pse justifikoj, nëse dikush do apo nuk do të hyjë. Nëse do të bashkohet, atëherë bashkohet, nëse jo atëherë jo. Kemi rritje të konsiderueshme në tregti”, ka theksuar Vuçiç.
Liderët nënshkruajtën katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Bosnja dhe Mali i Zi dërgojnë sinjale pozitive për Ballkanin e Hapur
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi në Ohër se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t’iu bashkuar kësaj nisme.
“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jenë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjellë mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Tegeltija.
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”. “Ballkani Perëndimor ka vend në BE dhe Mali i Zi si lider në integrim është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në këtë proces “, ka thënë Abazoviq.
Kurti: Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal./DW