MENU
klinika

Pretenca... në kryegjykatë!

Burrë e grua me një palë tesha – pse u denoncua Shuteriqi?

10.06.2022 - 12:31

        Në vitin e largët 1975, shkrimtari Dhimitër Shuteriqi është denoncuar nga njëri prej prokurorëve më në zë të kohës. Pretenca e këtij të fundit për shkrimtarin, ndryshe nga ato të zakontat, nuk është adresuar në Gjykatë, por në kryegjykatën e regjimit, në Komitetin Qendror të Partisë.

Rasti e kish sjellë që shkrimtari i njohur kishte lënduar pa dashje sedrën e prokurorit, që për fat të keq kishte qenë nga fshati ku zhvillohen ngjarjet e tregimit “E vërteta lakuriq”, botuar në gazetën “Drita”, më 8 shtator të vitit 1974.

Nga: Afrim Imaj

Njeriu i akuzës, i indinjuar për mënyrën si përshkruhet aty jetesa e bashkëfshatarëve dhe veçanërisht për qasjen reaksionare të autorit për karakterin e malësorit, i poston Ramiz Alisë, asokohe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, një analizë të zgjeruar për frymën antiparti të tregimit të Shuteriqit. Argumenti kryesor i prokurorit të revoltuar fokusohet te fabula, me të cilën autori operon për të zbuluar realitetin në fshatin e largët.

Gjatë një vizite aty në vitin 1945, Shuteriqi shkruan se ka trokitur në një shtëpi, por s’ia kanë hapur derën. E zonja që ka qenë brenda s’ka pranuar të flasë me mysafirin, se ka qenë lakuriq(!). Ata burrë e grua kishin vetëm një palë rroba dhe kur dilte njëri, tjetri mbyllej brenda(!). Një histori e tillë lakuriqësie, kundërshton prokurori, nuk është dëgjuar kurrë nga anët tona, por është sajesë e autorit për ta paraqitur malësorin njeri të egër, me bisht, sikundër pretendojnë qarqet antishqiptare.

Më tej, njeriu i akuzës, ndërsa rreshton pasaktësitë e tjera të tregimit që e quan me ironi “Rrena lakuriq”, i kërkon liderit të KQ të qëndrojë me rreptësi ndaj Shuteriqit, pasi krijime të tilla në optikën e tij “u shërbejnë armiqve që t’i përdorin për të argumentuar pretendimet e tyre aneksioniste”.

Sakaq, nga krahu tjetër reagimi ka qenë i menjëhershëm.

Ramiz Alia ka thirrur me urgjencë dy ndihmësit e tij, Hamit Beqa dhe Jakup Mato, të cilët kanë shqyrtuar me përgjegjësi e kompetencë vërejtjet e letërshkruesit dhe kanë drejtuar procesin për të vënë me shpatulla për muri jo vetëm autorin, por edhe botuesin e tregimit “E vërteta lakuriq”. Fillimisht, analiza është bërë në linjë partie, ku Shuteriqi është dënuar për papjekuri politike dhe mandej në Lidhjen e Shkrimtarëve. Gazeta “Panorama” ka zbuluar praktikën e pazakontë me letrën e prokurorit, analizën e tregimit nga të autorizuarit e Komitetit Qendror dhe debatin e iniciuar nga Ramiz Alia për qëndrimin ndaj Shuteriqit.

DOKUMENTI

LETRA E PROKURORIT

SHOKUT RAMIZ ALIA

Në gazetën “Drita” të datës 8 shtator 1974, lexova tregimin “E vërteta lakuriq’, shkruar nga Dh.S.Shuteriqi. Ky tregim është fund e krye i pasaktë. Shkurtimisht, në këtë tregim autori përshkruan këto: 1-Në fshatin Kimçe (autori nuk e di emrin e vërtetë të fshatit, por ashtu e ka quajtur me hamendje), në pranverën e vitit 1945, ka gjet në një shtëpi dy bashkëshortëburrë e grua – të cilët pasi nuk kishin me se të visheshin, të dy ndërroheshin me një palë rroba të grisura që mbante burri.

Në këtë mënyrë, kur burri ishte në punë, ose jashtë shtëpisë; gruaja qëndronte brenda lakuriq me fëmijët. Kjo dilte nga shtëpia vetëm kur burri vinte nga puna, i cili pasi hiqte rrobat nga trupi i tij, ia jepte Së shoqes dhe vetë qëndronte lakuriq në shtëpi me fëmijët. 2-Se kur, ai -autori- pa këtë gjendje varfërie, së bashku me një shokun e tij, i kanë dhuruar fshatarit varfanjak një revole dhe pastaj janë larguar për në punën e tyre. Kjo është me pak fjalë përmbajtja e tregimit.

Në tregim nuk ka asgjë reale dhe të saktë, me përjashtim të përshkrimit të rrugës që ka ndjekur autori deri në vendin ku shtjellohet ngjarja që u tha më lart. Rruga dhe disa rrethina të tjera të përshkruara nga autori, është e vërtetë se të çojnë në katundin Kimeze (Kimçe, siç e quan ai), i cili në atë kohë (1945) ka qenë i rrethit të Mirditës, kurse sot bën pjesë në rrethin e Pukës. Kështu që edhe emrin ky shkrimtar nuk ka mundur t’ia gjejë katundit(!) Në katundin Kimeze, ku sipas rrethanave inkludohet subjekti i tregimit, përpara 49 viteve, kam lindur unë.

Aty u rrita dhe u bëra 17 vjeç deri sa u largova prej andej në vitin 1944. Por, edhe pse i larguar, kam mbajtur lidhje të ngushta me fshatin dhe fshatarët. Që nga viti 1957 e deri më sot, së paku lejen e zakonshme e kam bërë atje. Përveç këtyre, edhe lidhjet e tjera si vajtje e ardhje të tjera nuk kanë munguar. U zgjata pak këtu për të paraqitur atë që unë e kam njohur dhe e njoh shtëpi më shtëpi dhe emër për emër gjendjen e kimezarëve…

Prandaj e thashë që në fillim që përmbajtja e këtij tregimi është një rrenë lakuriq. Kjo për mua ishte e qartë qysh në momentin që e lexova, por vonova të shkruaj pasi desha ta verifikoj, vetëm çështjen, nëse ndonjërit nga bashkëfshatarët e mi, i është dhuruar revole prej ndokujt. Por edhe kjo del se nuk është e vërtetë.

Tani për mua është e kjartë se:

1-Në katundin Kimeze, në asnjë shtëpi, me gjithë varfërinë e madhe që ka pasur, nuk ka pasur burrë, dhe sidomos grua që të mos ketë pas një palë tesha për t’i veshur, qofshin këto të zhelosura dhe të palara. Nuk ka bë vaki, gjithashtu që të rrijë burri, dhe sidomos gruaja, lakuriq në shtëpi para fëmijëve?! Bile sipas zakonit të vendit, femra kur martohej, sado e varfër që të ishte, ka sjellë me vete minimumi tre-katër palë rroba. Kështu që nuk ka mbetur asnjëherë lakuriq. Gjithashtu po të ishte e vërtetë ajo që pohon autori në këtë tregim, kjo shtëpi do të kishte mbetur pothuajse gjithnjë mbyllur, pasi njëri nga bashkëshortët qëndronte çdo kohë brenda lakuriq. Kështu që një gjendje e tillë patjetër do të dihej nga gjithë banorët e katundit dhe nuk kishte mundësi që shoqëruesi (duke qenë bashkëfshatar me personazhin në tregim), t’i çonte mysafirët në atë shtëpi.

2-Kullat në katundin Kimeze (Kimçe sipas autorit) nuk janë të mbuluara me rrasa guri, ashtu siç flitet në tregim.

3-Nuk ekziston asnjë fshatar i këtij katundi që të ketë marrë dhuratë prej ndokujt revolver pas çlirimit.

4-Emri i vërtetë i katundit, sipas përshkrimit të rrethanave të autorit, nuk është Kimçe, por Kimeze.

5-Veshja e burrit dhe e gruas në Mirditë (pasi katundi Kimeze në atë kohë e ka pas marrë rrethi i Mirditës, kurse sot e merr rrethi i Pukës)nuk është e ngjashme dhe për pasojë ka qenë turp që burri të veshte rrobat e gruas dhe të priste mysafirët, ose të dalë në punë. Këto ishin disa fakte që e bëjnë tregimin në fjalë të Dhimitër Shuteriqit nga “E vërteta lakuriq” në “Rrena lakuriq”. Duke nisur nga fakti se çfarë vlere dhe kujt i shërben më shumë ky tregim, unë kam tërhequr disa konkluzione:

Së pari, më duket se ky tregim ka domethënie të përbashkët me shumë artikuj të autorëve reaksionarë si të hershëm, ashtu edhe të ditëve tona, të cilët me shkrimet e tyre janë përpjekur ta paraqesin shqiptarin, sidomos malësorin, njeri të egër, me bisht etj., ose siç ka ndodhur edhe më vonë kur disa autorë kanë shkruar se malësorët nuk janë autoktonë, se ata janë nomadë etj. Këto lloje ose gjini shkrimesh, në tërësinë e tyre u kanë shërbyer armiqve, të cilët, kur ka qenë rasti, i kanë përdorur për të argumentuar pretendimet e tyre aneksioniste. Pra, edhe në kohën tonë, shkrime si ky nuk i shërbejnë unitetit kombëtar dhe tërësisë tokësore të vendit tonë, por më shumë të tjerëve.

Së dyti, autori me sa më duket mua nuk ka marrë mundimin e verifikimit të gjërave, duke u nisur se ideja e tregimit (varfëria e malësorit) do të mbulojë pasaktësinë e tij, se lexuesi vendas (këtu është fjala për bashkëfshatarët e personazhit kryesor të tregimit) nuk do ta kapin çështjen, ose nuk kanë mundësi t’i kapin anët e dobëta të tij etj. Kurse për sa u përket lexuesve të huaj, atyre nuk u intereson aspak të bëjnë vërejtje lidhur me shkrime të tilla, pasi këto arsye u interesojnë. Kështu që unë nuk mund ta shpjegoj ndryshe faktin që ky “akademik” boton haptas shpifje të tilla që me gojën e tij pohon për një gjendje të tillë diskriminacioni dhe barbarie të asaj krahine që nuk përkon kurrkund me qytetërimin e pjesës tjetër të Shqipërisë.

Së treti, në tregim një gjë është e vërtetë (këtu për ironinë time), në kokën e autorit ka zënë vend dhe qëndron një grua lakuriq, ashtu siç e ka pikturuar për ilustrim të tregimit piktori Q.Prizreni.

Këto mendoj janë konkluzionet që mund të nxjerrim nga artikulli, pasi të paktën, unë nuk mund ta pranoj se ky shkrimtar na qenka treguar i pakujdesshëm, se i ka shpëtuar ana e saktësisë së artikullit, se nuk njeh malësorët, se nuk ka pasur mundësi ta verifikojë fshatin etj., pasi për të gjitha këto mundësitë janë deri sa Dh. Shuteriqin nuk e pengon njeri të bëjë verifikimin dhe se këto janë këtu në Shqipëri e jo jashtë shtetit. Për pasaktësitë dhe shpifjet që përmban ky tregim janë revoltuar të gjithë ata që e kanë lexuar.

Bile disa e kanë quajtur haptazi antikombëtar: të paktën po përmend disa që kanë biseduar me mua për këtë punë, si Bardhok Rajta inxhinier elektrik në Peshkopi, oficer Fron Doda pedagog në akademinë ushtarake “Mehmet Shehu”, si dhe Frrok Ndreca, sekretar organizate në gjeologji, Zef Gjeta dhe Ndue Kola mësues (tre të fundit janë në rrethin e Pukës) etj. Për sa sipër, mendova të mos hesht, pasi ky tregim është keqpritur nga lexuesit dhe vetë shkrimtari ka humb deri diku besimin e tyre./Panorama

Me nderime,

Nikoll K.
Prokuroria e Përgjithshme Tiranë

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dokumenti më i vjeter biblik

Anonimi i Elbasanit është Gregori


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen