Deklarata e Gunther Krichbaum, folësit të Grupit Parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian, se do të bashkëpunojë me PD-në vetëm nëse ajo jep një sinjal largpamësie në zgjedhjen e kryetarit, duket se nuk ka qenë e izoluar në grupi e CDU-së.
Pas një vizite treditore në Shqipëri, raportuesi për Ballkanin Perëndimor në CDU, Peter Beyer, në një konferencë për mediat nga Tirana i ka mbyllur derën e bashkëpunimit Partisë Demokratike, të drejtuar nga Sali Berisha, duke thënë se nuk mund të dalin kundër qëndrimeve të SHBA.
“Nuk jam këtu për të folur në mënyrë publike dhe zyrtare për të marrë anë brenda grupimeve, por dua dhe jo vetëm për këtë arsye, por edhe për faktin se aleatët tanë kanë të njëjtin këndvështrim si ne në Gjermani, për një person që është i shpallur non-grata edhe ne e kemi të vështirë të përfytyrojmë një bashkëpunim në të ardhmen”, u shpreh Beyer.
I pyetur nga gazetarët se cilën Parti Demokratike njeh CDU-ja gjermane, Beyer u shpreh se nuk i interesojnë emrat apo figurat, por vetëm niveli i përfaqësimit dhe seriozitetit që PD tregon ndaj atyre që e kanë votuar. “Atëherë, këtu po reagoj menjëherë. Për mua nuk janë personat shumë të rëndësishëm. Ne si CDU kemi interes të kemi një PD të fortë. PD është partia opozitare, ka një përgjegjësi të madhe për të bërë opozitën në Parlament. Kjo duhet të realizohet nga PD që ka përfaqësues të popullit. Më interesojnë pak figurat e veçantë. Më shumë më intereson forcimi i partisë. Ky është qëndrimi ynë si CDU/CSU”, tha ai.
Ndërkohë që Krichbaum, rreth një muaj më parë, i bëri thirrje PD-së që të jetë realiste dhe t’i dëgjojë me vëmendje gjetjet e SHBA. “Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit.
Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar”, tha ai në një intervistë për DW. Ballkani i Hapur Raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer, ka komentuar edhe situatën e krijuar së fundmi me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov.
Ky i fundit anuloi vizitën e planifikuar për në Beograd, pasi vendet e Ballkanit s’ia lejuan shfrytëzimin e hapësirës ajrore dhe më pas doli hapur në mbështetje të nismës “Ballkani i Hapur”, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Referuar kësaj deklarate, gazetarët në Tiranë kërkuan një koment të Beyer dhe deputeti i CDU u përgjigj duke thënë se “Rusia nuk duhet të përzihet në çështjet që nuk i takojnë asaj”. “Pashë sesi ministri rus u soll dhe reagoi”, tha Beyer duke shtuar më tej se Ballkani Perëndimor duhet të ketë vëmendje dhe është me rëndësi të lartë stabiliteti në rajon.