Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë do të jetë pra dikush që vjen me karrierë ushtarake, z. Bajram Bega!
Unë apriori kujtdo që merr një detyrë i uroj ta kryejë sa më mirë atë në raport me kompetencat që i jep posti. Aq më shumë që është nëpunësi më i lartë i shtetit! Detyra është shërbim ndaj të tjerëve!
Kështu edhe për Presidentin e ardhshëm të Republikës!
Por, unë vazhdoj të mendoj që ai ka një sfidë të madhe përpara! Atë që pushtetet e tjera, sidomos pushteti ekzekutiv, burokracia, establishmenti politik i çdo krahu, do të përpiqet ta mbajë sa më larg nga ushtrimi tërësor i detyrimeve kushtetuese që ka. Kjo është sfida e tij: A do ta përballojë këtë që të jetë presidenti i vendit, apo do të shndërrohet në firmosës të gjithçkaje që i vihet përpara? Unë i uroj të parën, por them nga studimet e mia se ka një mal përpara, një kështjellë të fortifikuar për ta marrë.
Deri dje ishte e frikshme kur pa njohur emrin e kandidatit dëgjonim shprehjen se : “Presidenti nuk është pjesë e pushtetit”! I tregonin vendin “x” – it përpara se të lindëte fëmija!
Mbrëmë u vu theksin se ndryshe nga presidentët e tjerë që kanë qenë kaçakë, i riu do të ishte një komandant shumë i mirë për ushtrinë!!!
Presidenti trajtohet si komandant i ushtrisë!!! Pra, nënteksti është që detyrat civile as mos i shih si kompetenca të vërteta të tuat! E interpretojnë si president të ushtrisë, jo si president i neve qytetarëve! Ose na konsiderojnë si “I gjithë populli ushtar!”
Do ta “hajë” këtë “mollë” që e shtyn drejt detyrave ushtarake z. Bega ose jo, këtë do ta shohim!
Por trajtimi i Presidentit meqë vjen nga ushtria vetëm si ushtarak pra si komandant ushtrie është krejt i pavend.
Jo se ai nuk është komandant i përgjithshëm. Por, ai është ashtu si civil jo si ish ushtarak ose ushtarak!
Ai nuk është aty të drejtojë operacione ushtarake edhe nëse Shqipëria hyn ta zemë në Luftë me Marsianët! Nuk mjafton të shohësh Zhelenskin që për shkaqe marrëdhëniesh publike vishet si ushtarak për të na bërë të besojmë se presidenti ynë do të veshi uniformën dhe do të drejtojë ushtarët, neve, pra, në front! Nuk është kjo detyra e tij!
As zoti Begaj nuk ka përse përgjigjet si ushtarak duke përmendur nderin e ushtarakut! Ai është qytetar, dhe si i tillë uroj të jetë një President i mirë, por jo drejtues repartesh në Front!
Mbi të gjitha ai do të ketë detyrimin të përballojë edhe detyra të mëdha nga ku ka shumë rrezik ta shmangin, sikurse kanë shmangur ish ushtarakët e tjerë që kanë qenë para tij presidentë!
E para rolin parësor në politikën e jashtme!
E dyta roli madhor në sigurinë dhe rendin e brendshëm
E treta dhe më kryesorja në garantimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, në mbrojtje të të drejtave tona civile.
E katërta në ushtrimin e kompetencave për emërimet, mandatet që do të japë, edhe për qeveritë e ardhëshme, në mënyrë që ato të jenë të zgjedhura sipas ligjit dhe në mënyrë legjitime dhe demokratike.
E pesta, në përfaqësimin ose tërheqjen e qytetarëve në ushtrimin e pushtetit, pra në referendume.
Duhet ta dimë edhe ne edhe ai se presidentët ish ushtarakë ose civilë më para tij, nuk i kanë ushtruar dot këto kompetenca.
Kjo është sfida.
Pra, ne duam civilin si president, jo ish ushtarakun. Askush nuk është i detyruar të jetë ai që ka qenë!
Aq më tepër që veç si ushtarak, i nderuar, paska qenë edhe mjek! Por, si ish mjek askush nga ata që e prezantuan nuk e paraqitën. A është e rastit!
Sfida mbetet! Aty do të duket sa i shërben detyrës, nderit, atdheut jo më si ish ushtarak, por si president!
Do të duket që në fjalimet e para!
Suksese si President zoti ish gjeneral, i nderuar doktor, i dashur bashkëqytetar!