MENU
klinika

Nga Kreshnik Spahiu

Dashuria BE-Shqipëri, si dasma e vajzës së Hasanit me nipin e mbretëreshës!

22.06.2022 - 19:47

Nga Kreshnik Spahiu

20 vite më parë jetoja dhe punoja në Londër.

Një mëngjes dimri me shi, krejt papritur në zyrën time u shfaq Arbëresha vajza e Hasanit, të cilën e kisha shoqe fëmijërie që nga gjimnazi.

Ajo ishte një vajzë inteligjente, e edukuar dhe me shumë humor, por jeta i kishte marr ters disa herë.

Ajo vinte nga një familje e varfër dhe me shumë probleme konfliktuale të dhunshme brenda fisit. Për këto arsye ishte larguar për një jetë sa më të mirë nga Shqipëria drejt Londrës.

E pyeta: “Arbëresha si i ke hallet?”

Keq, keq Kreshnik – ma ktheu. “ Jam pa punë. Jetoj me 3 shoqe në 50 metra/2 dhe paguajmë 1200 paund qira në periferi të Londrës”

Po ndonjë gjë tjetër- i thashë: “Pooo Kreshnik, kam një lajm të mirë. Muajin tjetër do martohem me princin e Britanisë së Madhe dhe jam shumë e lumtur”

Uaaaaaa klitha unë dhe e pyeta instinktivisht:

“Sa e sigurt është kjo lidhje dhe martesa?”

50% me 50% ka shanse o Kreshnik – ma ktheu Arbëresha pa ju dridhur syri.

Unë ngrita supet dhe e pyeta i habitur: “Çfarë nënkupton me 50% – 50% martesë se nuk po marr vesh gjë”

Dëgjo Kreshnik, foli Arbëresha e heshtur:

“Unë dhe Hasani jemi dakord nga ana jonë, por ende nuk dimë mendimin e Princit dhe Mbretëreshës se nuk na njohin hiç fare kush jemi, por babit tim i pëlqen si ide.” pra vazhdoi ajo: “50% pro, jemi unë dhe Hasani. 50% kundër janë Princi dhe Mbretëresha”

Qesha me lot ….. dhe mu kujtua sot kjo histori.

Po lexoja sondazhin e rinisë austriake e cila me shumicë ishte shprehur se nëse shqiptarët do hyn në Bashkimin Europian atëherë ata do dalin nga BE.

Ky nuk ishte sondazhi i parë.

Një muaj më parë 62%e gjermanëve, 60% e francezëve, 59% e portugezëve ishin shprehur se nuk dëshirojnë që shqiptarët të bëhen pjesë e “familjes” së tyre.

Kam disa ditë që marr mesazhe nga qindra lexues të cilët më pyesin:

“Kreshnik, pse nuk na do Europa” dhe “Çfarë të keqe ju kemi bërë ne, evropianëve?!”

Analiza është shumë e thjeshtë. Njësoj si vajza e Hasanit që donte të martohej me nipin e Mbretëreshës.

Njëra palë do, tjetra jo. Martesë me zor s’ka.

Thjesht, ne ju dukemi aq të prapambetur dhe të pazhvilluar sa ata nuk duan të lidhin krushqi me ne. Do thoni ju: “E ka gabim Europa”

Ndoshta janë 100% gabim ata, por ç’rëndësi ka, kur kombet evropian nuk kanë fijen e dashurisë dhe respektit ndaj nesh.

Urrejtja dhe dashuria ndahet nga një fije floku.

Mos harroni në 110 vjet shtet shqiptar, vetë kombet evropian kanë bërë 3 luftëra të përgjakshme dhe 3 bashkëjetesa paqësore me njëri-tjetrin brenda një shekulli.

Thjesht ne jemi krejtësisht të parëndësishëm.

Nuk u vlejmë atyre:

– as për martesë

– as për divorc

– as për dasmor

– as për krushqi

– as për komshi

Ne thjesht duhet ta kishim kuptuar me kohë, që martesë me zor nuk bëhet.

Më mirë të largohemi me dinjitet, sesa duke ngjallur neverinë, keqardhjen, të qeshurat dhe cinizmin e fëmijëve të “mbretit” dhe “mbretëreshës”.

Princi nuk ndjen asgjë për vajzën e Hasanit.

Ashtu si martesa e tyre, edhe kjo dasma e jonë me Evropën i ka shanset 50% me 50%.

50% pro jemi ne…

50% kundër është Evropa…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Në të dy rastet fundi i tij është më i turpshmi në 100 vite"

Kreshnik Spahiu: Lulzim Basha ka dy alternativa: Dorë-heqje ose shqelm-heqje!