MENU
klinika

Johnson, apel aleatëve të Ukrainës

“Durim! Ndryshe rrezikojmë fitoren më të madhe, që prej Luftës II”

18.06.2022 - 21:26

Kryeministri i Anglisë, Boris Johnson u ka kërkuar liderëve perëndimorë që të “mbajnë nervat” për një luftë të gjatë në Ukrainë ose të rrezikojnë “fitoren më të madhe për agresionin në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Kryeministri u ka bërë thirrje aleatëve të Mbretërisë së Bashkuar të durojnë dhe të sigurojnë që Ukraina të ketë “qëndrueshmërinë strategjike për të mbijetuar e në fund të arrijë të mbizotërojë”.

Në një artikull të botuar pas kthimit nga takimi me Volodymyr Zelensky në Kiev të premten, botuar në The Sunday Times , ai thotë: Koha është tani faktori jetik. Gjithçka do të varet nga fakti nëse Ukraina mund të forcojë aftësinë e saj për të mbrojtur territorin më shpejt sesa Rusia mund të rinovojë kapacitetin e saj për të sulmuar. Detyra jonë është të marrim kohë në anën e Ukrainës.

Në një thirrje për Perëndimin, Johnson parashtron një plan me katër pika për ta realizuar këtë, duke përfshirë sigurimin e “fondit të vazhdueshëm dhe ndihmës teknike, të cilën ne duhet të planifikojmë ta mbajmë për vitet në vijim dhe ta rrisim sipas nevojës”.

Kryeministri është pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që mbështet Zelenskyn që ka filluar të tregojë shenja thyerjeje, me disa aleatë që shqetësohen hapur për ndikimin e një lufte të zgjatur, si në Ukrainë dhe shoqërinë e saj, ashtu edhe në ekonomitë e tyre. Ndërkohë, zyrtarët ukrainas u janë lutur aleatëve të NATO-s për dërgesë më të shpejtë të armëve me rreze më të gjatë dhe rimbushjen e nevojshme urgjente të më shumë furnizimeve bazë, përfshirë municionet./The Times