MENU
klinika

Rreziku nga lia e majmunëve

Epidemiologu Ilir Alimehmeti tregon çfarë dihet deri tani për këtë sëmundje dhe a duhet të shqetësohemi

02.06.2022 - 10:11

Lia e majmunëve është një tjetër virus që ka shqetësuar autoritetet shëndetësore në botë. Ekspertët vendas e shohin këtë sëmundje me risk të ulët për Shqipërinë.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti i tha Gazetasi.al se ka një vaksinë për linë e majmunëve e quajtur MVA-BN. Kjo vaksinë është miratuar vetëm nga FDA, më 24 shtator të vitit 2019.

“Duke qenë se rastet janë aq pak sa ç‘janë nuk kemi si t’i marrim për numra kaq të vegjël. Nuk duhet të merret paraprakisht vaksina sepse rrezikshmëria është pothuajse zero”, shpjegon Alimehmeti.

Në kuadër të masave të marra, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha të hënën pas një mbledhje në ISHP se, po bëhen përgatitjet për diagnostikimin e lisë së majmunit në laboratorin e ISHP.

“Jemi duke bashkëpunuar me laboratorët e referencës në Londër dhe në Hollandë, për të pasur mundësinë që mostrat të cilat mund të jenë të dyshuara, të mundet të referohen menjëherë”, bëri me dije Manastirliu.

Më tej mjeku shpjegon se ka 377 raste të identifikuara dhe asnjë humbje jete në të gjithë botën, kështu rreziku nuk diskutohet.

“Diskutimi ishte për vaksinimin e kontakteve të një rasti të njohur. Por numrat e infektimeve janë shumë të vegjël. Nuk janë numra që detyrojnë shtetet të marrin sasi të mëdha vaksine”, shpjegon Alimehmeti.

Duke folur për rëndesën e sëmundjes eksperti shpjegon se nga analiza e rasteve është përcaktuar se janë të gjitha të lehta. Alimehmeti shpjegon që kalohet lehtë si sëmundje.

Gjatë fjalës së saj në ISHP, Manastirliu tha të hënën se Shqipëria ka një survejancë të shtuar aktive.

“Janë kryer të gjithë trajnimet e nevojshme në personelin mjekësor në kujdesin parësor. Në Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, për të mundësuar evidentimin në kohë të rasteve të mundshme”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër ekspertë të shëndetit publik në botë, i kanë bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që të japin udhëzime të qarta për këtë sëmundje.
Ata po argumentojnë se qeveritë dhe OBSH, nuk duhet të përsërisin gabimet e pandemisë COVID-19.

Ndërsa OBSH ka deklaruar se po shqyrton, nëse shpërthimi duhet të vlerësohet si një emergjencë e mundshme e shëndetit publik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Manastirliu: Ka nisur zbatimi i planit të masave

Lija e majmunit/ Mblidhet Komiteti i Imunizimit