Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, sugjeron ligjvënësit që në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore të shohin mundësinë për të ulur numrin e qarqeve. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i çështjeve zgjedhore tha se një numër më i ulët i rajoneve, do ta bënte votën më të barabartë.
Për ta konkretizuar, Kume mori shembull Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, e cila mori 107 mijë vota, por me ndarjen në 12 qarqe mori 4 mandate deputetësh. Sipas tij, nëse do të kishim 4 rajone, atëherë LSI do të kishte marrë 9 deputetë dhe qytetarët do të ndiheshin më të përfaqësuar. Më tej, Kume sqaroi se korrigjimi i qarqeve nga 4 në 12 mund të bëhet pa pasur nevojën e ndërhyrjes në Kushtetutë, pasi këtë gjë, sipas tij, e bënë të mundur ndryshimet e korrikut të vitit 2020. Tani, sipas tij, Kushtetuta lejon që të korrigjohet korrigjimi i hartës pa ndërhyrë në të. Por, sipas tij, e njëjta logjikë nuk duhet ndjekur për Reformën Administrative. Kume tha se Reforma Territoriale duhet të jetë më e thellë dhe të analizohet efikasiteti i njësive vendore.
Ai kërkoi që të ketë decentralizim të pushteteve, pasi sipas tij, bashkitë aktualisht kanë në letër kompetenca për shërbime që nuk mund t’ua japin kurrë qytetarëve. Ndërkohë që paralajmëroi se në Kuvend do të depozitohet një projektligj që edhe këshilli bashkiak të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Ndërkohë, teksa thekson se të gjitha këto ndryshime kërkojnë vullnet politik, Kume tha se nuk do të kemi asnjëherë një reformë zgjedhore të gjithëpranuar pa u zgjidhur në gjykatën e apelit problemi në Partinë Demokratike.
Z. Kume, në Kuvendin e Shqipërisë kanë nisur punën dy komisione të posaçme, ai për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Administrative, cilat janë pritshmëritë tuaja si ekspertë zgjedhorë nga ky proces?
Unë e shoh si vazhdim të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe partive në plotësim edhe të premtimeve që ato kanë bërë, pasi u mbyll marrëveshja në 5 qershor të vitit 2020. Kujtoj që të gjitha së bashku u shprehën se këtu nuk përfundon kjo punë. Do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në mënyrë intensive për rregullimet e legjislacionit zgjedhor, por edhe të ligjeve që kanë prerje me proceset zgjedhore. U deklarua se do të bënin pjesë të vendimmarrjes së tyre çështje të sistemit dhe administratën zgjedhore, por duke mos lënë mënjanë edhe ligjin për financimin e partive.
Komisioni që është ngritur, po ndeshet me të njëjtën situatë me atë që u ndesh edhe në reformën e kaluar zgjedhore, ku jo të gjithë palët janë dakord të ulen së bashku për ta trajtuar gjënë. Kjo duke pasur parasysh se në çfarë situate po përballet Partia Demokratike. Ulja në tavolinë e partive politike dhe ajo që është më e rëndësishme, produkti që do të realizojnë partitë politike për mua është goxha i kushtëzuar nga ky fakt.
Nuk besoj se do të arrijmë në zgjedhje të gjithëpranuara nëse nuk do të jetë i zgjedhur problemi i Partisë Demokratike në kuptimin që nuk do të ketë marrë fund procesi në gjykatën e apelit dhe të kuptohet se kush është njëra palë apo tjetra. Dhe se cila nga palët që kanë deputetët e saj të bëhen pjesë aktive dhe të zhvillojnë përgjegjësitë e tyre.
Aktualisht kemi 12 qarqe. A ka funksionuar kjo mënyrë e ndarjes zgjedhore apo ka ardhur momenti për ndryshime të thella?
Për mendimin tim, ndarja e Shqipërisë në 12 njësi zgjedhore, siç e parashikon Kodi Zgjedhor, nuk është e kushtëzuar nga ndarja territoriale administrative. Ka qenë e kushtëzuar, por sot nuk është. Me ndryshimet që u bënë në Kushtetutë në korrik të 2020-ës, u hoq dispozita e cila detyronte ndarjen e vendit për hir të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në njësi zgjedhore duke iu referuar një ndër ndarjeve territoriale administrative. Ose do ndaheshin në 12 qarqe, ose në 61 njësi zgjedhore.
Kjo dispozitë është hequr. Për pasojë, mundësia për të bërë një ndryshim shumë të rëndësishëm në këtë sistem zgjedhor që kemi, por vetëm duke zbatuar ndryshe, është që të vendoset në Kodin Zgjedhor ku në bazë të së cilës Shqipëria të ndahet në më pak njësi zgjedhore sesa 12. Të ndahet në dy ose në 4 njësi zgjedhore. Problemi i efekteve që sjell ndarja në njësi zgjedhore, e kushtëzuar dikur nga ndarja territoriale administrative, tani nuk ndryshon më. Duhet vullnet politik për ta bërë.
Ky vullnet është i zorshëm për t’u arritur për sa kohë që dy partitë kryesore, PS e PD, janë më pak të interesuara se kushdo tjetër që ta bëjnë. Vetëm si rezultat i faktit që kishim 12 njësi zgjedhore dhe partitë s’ranë dakord që të përdornin atë mundësi që i dha ndryshimi i Kushtetutës, LSI nga 4 mandate që ka, po të ishte gara me 4 njësi vendore, do të merrte 9 mandate. Pra, u godit jo vetëm subjekti zgjedhor, por edhe zgjedhësi, sepse vota nuk pati të njëjtën vlerë. Problemi i trajtimit dhe i zgjedhjes së çështjes së sistemit, është një ndër problemet qendrore që duhet trajtuar, pavarësisht nga ajo që bëhet në kuadër të Reformës Territoriale Administrative.
Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën këto të dyja sot me ndryshimet kushtetuese të bëra. Është shumë i rëndësishëm si problem dhe opsionet për zgjedhje janë nga më të ndryshme. Ajo që ka rëndësi të bëhet është secili opsion të ballafaqohet me kushtet konkrete të shoqërisë sonë. Me mënyrën e sjelljes së zgjedhësit tonë ndaj kërkesave të sistemit dhe të merret vendim duke pasur udhërrëfyes rritjen e cilësisë së përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, duke ruajtur maksimalisht parimin e proporcionalitetit në përfaqësim.
Partia Socialiste po aplikon ndarjen e disa drejtorive në rajone të mëdha, kam parasysh këtu drejtoritë arsimore. Ju besoni se ndarja në rajone më të mëdha, është më efikase?
Ndarja e territorit për hir të administrimit të tij nga organet e qeverisjes vendore, nuk ka efekt direkt në rezultatin që merret në zgjedhjet parlamentare. Por nga ana tjetër, ndarja është një ndër faktorët që ndikon në cilësinë e qeverisjes vendore. Në cilësinë e shërbimeve që u ofron komuniteteve; në mënyrën dhe cilësinë e përdorimit të resurseve prodhuese dhe resurseve njerëzore në nivelin vendor.
Pra, është e rëndësishme që të mendohet dhe të merret vendimi për zgjedhësit jo duke pasur si kryefjalë sa dhe si kjo do të ndikojë në garën e ardhshme elektorale në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, por sa dhe si kjo do të ndikojë në mirëqeverisjen e komuniteteve. Nëse problemi trajtohet, problemi vetëm nën nivelin e hartës territoriale për mua do të thotë që të vesh te fundi dhe të mos i japësh zgjedhje fare asaj që do duhet të zgjidhet: mirëfunksionimit të pushtetit vendor.
Unë mendoj që krahas diskutimeve për ndërtimin e hartës, duhet të merren vendime dhe të rikonfigurohet e gjitha çka ka të bëjë me legjislacionin për funksionimin e organeve të qeverisjes vendore. Bëhet fjalë për ndryshim në sistem. Në themelet e sistemit. Sistemi që ne kemi sot, me gjithë se kemi dy nivele, bashki dhe qarqe, ligji parashikon në detyrat dhe të drejtat e organeve të qeverisjes vendore shërbime ndaj qytetarëve, të cilat qytetarët s’i marrin dot kurrë prej tyre, sepse nuk kanë mundësi t’ua japin.
S’ka shërbime për arsimimin, punësimin, pensionin tek organet e qeverisë vendore që kemi sot. Këto realizohen te drejtoritë rajonale që kanë lidhje direkte me qendrën. Decentralizimi i pushtetit nëpërmjet realizimit të ndryshimeve në legjislacion për strukturimin e pushtetit vendor, shtuar kësaj dhe organeve që duhet të rikonceptohen, që do të vetëqeverisen në pushtetin vendor dhe këtu kam parasysh, këshillin e rajonit, duhet të bëhet si i tillë përpara se të kalohet te vendimi për 4 rajone apo 6 rajone.
Keni ju informacione, statistika se si e duan qytetarët?
Në konsultat që janë bërë me qytetarët gjatë një periudhe të gjatë, nga mendimet e të zgjedhurve vendorë, të stafeve akademike të vendit që janë përthithur në kuadër të një pune që ne jemi duke bërë, ka mbizotëruar ideja se në qoftë se do të ndërhyjmë në nivelin e rajonit ose të qarkut aktual, jo vetëm që duhet të zvogëlohet numri, por veç kësaj, duhet të ndryshojë edhe mënyra e formulimit të institucioneve të vetëqeverisjes. Këshilli i rajonit të zgjidhet nga qytetarët, të jetë një mini-kuvend dhe duke qenë se do jetë i tillë, natyrisht çelet hapësira e plotë për të trajtuar dhe për t’u dhënë zgjedhje problemeve të tjera për shërbimet që do të ofrojnë këto.
Të shërbimeve në funksion të decentralizimit të të drejtave dhe detyrave midis qeverisë qendrore dhe qeverisjes lokale. Në të kundërtën, ajo që do të bëhet dhe që mund të bëhet nëse do të ngelet në nivelin e ndryshimit të hartës nga 61 bashki në 30 apo nën 90 nga 12 qarqe të shkojmë në 4 qarte do mbartë vetëm synimet politike të atyre që u është dhënë e drejta për ta bërë. Por jo në funksion dhe në bazë të pritshmërive të asaj që dëshirojnë qytetarët ballë për ballë shërbimeve që duhet t’u ofrohet nga pushteti vendor.
Problemi i mundësisë së përdorimit të votës parapëlqyese nga zgjedhësit, pra i hapjes së listës, kështu si është trajtuar në Kushtetutë, edhe duke hequr herësin që u konsiderua si mekanizmi kopil që bëri që efekti i hapjes së listës të ishte afër zeros, prapë nuk rregullohet nëse nuk ka vullnet për ta rregulluar atë hapësirë që lejon Kushtetuta. Kam parasysh faktin që Kushtetuta parashikon që lista hapet deri në dy të tretat. Kjo do të thotë që 1/3 e sipërme nuk i nënshtrohet votës parapëlqyese dhe, për pasojë, nuk do të rirenditen.
Nëse ka vullnet nga partitë politike që ta bëjnë reale hapjen e listave, duhet që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet që lista e hapur të jetë e hapur 100%. Siç u votua në 25 prill, qytetari të ketë të drejtë të japë votën parapëlqyese për kë të dojë nga kandidatët. Dhe pas kësaj, ndarja e mandateve midis kandidatëve të bëhet vetëm duke u rirenditur në bazë të votës parapëlqyese që marrin, atëherë do të ketë efekt lista e hapur. Këtë mënyrë të administruarit të votës parapëlqyese, ne e kemi bërë pjesë të një projektligji që do ta sjellim në Kuvend për ndryshimin e kodit për zgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë. Edhe ata të zgjidhen nga qytetarët. Qytetari të votojë për cilindo kandidat dhe midis tyre ndarja do të bëhet në bazë të votave.
Kryetari i KQZ kërkon që të depolitizohen komisionerët në nivelin e dytë dhe të tretë. A ka shqiptar të depolitizuar, mund të gjejmë mjaftueshëm komisionerë të depolitizuar, kujtoj që është një numër i lartë?
Për mua ka dhe janë specialistët. Nëse në Kodin Zgjedhor parashikohet ndërtimi i administratës zgjedhore me qytetar që vetofrohen për ta realizuar detyrën dhe i nënshtrohem më pas procesit të trajnimit të tyre dhe bëhen pjesë e një databaze me komisionerë potencialë, KQZ të zgjedhë.
Problemi atëherë realizohet ndjeshëm. Efekti i asaj që kemi apo jo të depolitizuar absolutisht, rrudhoset shumë. Çdo qytetar ka preferencat e veta politike, por i shpreh ato kur voton. Por ama qytetarë që marrin një detyrë dhe vetoforhen për ta marrë detyrën dhe nuk dërgohen në këtë detyrë, qytetarë të cilët kur marrin vendimin për ta bërë këtë detyrë pranojnë edhe sanksionet që mund t’u vihen kur nuk zbatojnë ligjin, do të jenë shumë më tepër efektivë në administrimin e procesit zgjedhor, sesa qytetarët që shkojnë se i çojnë partitë politike. Në kod ne kemi përcaktuar detyrimin për formimin e qytetarëve të tillë. Kemi një nënkomisioner që ka sot.
Detyra e parë ishte teknologjia e informacionit dhe sot është përgatitja e qytetarëve për administrimin e zgjedhjeve. Kjo kërkon më pas të ndryshohet rregulli se si formohet administrata zgjedhore. Administrata zgjedhore e nivelit të lartë, si pasojë e dispozitave kalimtare, kanë lënë të njëjtën formulë.