Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja nga dosja e vrasjes së bujshme të Pjerin Xhuvanit, në Elbasan, vetëm katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Sipas gazetares dy zyrtarët e lartë të policisë kanë qenë të pranishëm në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë marrë masa për të parandaluar krimin.
“Në kohën e vrasjes, Palla e Nushi kanë qenë zv.drejtorë të Policisë së Elbasanit dhe kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Në momentin që kanë mbërritur në vendngjarje, në praninë e tyre ka ndodhur vrasja. Rezulton se ata dy kanë shpërdoruar detyrën, sepse nuk kanë marrë masa për të parandaluar vrasjen, si dhe kanë dhënë deklarime të rreme, duke dhënë fakte të ndryshme mbi ngjarjen.
Pjerin Xhuvani ishte pjesë e një grupi simpatizantësh të PS. Mjeku Xhuvani shkoi në mbrojtje të mikut të tij, që sipas PD, ishte duke blerë vota. Ishte PD që njoftoi policinë, dhe në momentin e mbërritjes së policisë ndodhi përplasja me armë zjarri, ku dhe u vra Pjerin Xhuvani. Të gjithë personat e përfshirë ishin ish-ushtarakë ose ish-punonjës policie.
E gjithë ngjarja bëri shumë bujë për faktin se si drejtori i Policisë së Shtetit, por edhe prokurori, gënjyen, duke thënë se nuk ishin gjetur materiale në vendngjarje, ndërkohë që në të vërtetë ishin gjetur materiale. Gjithashtu, ngjarja bëri bujë, sepse ndodhi në sytë e dy zv.drejtorëve të policisë, të cilët nuk arritën të parandalonin vrasjen e mjekut Xhuvani. Nuk është përcaktuar ende se kush qëlloi i pari me armë zjarri në vendngjarje”, tha gazetarja Lala në News24.