Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpërndarë një urdhër për ndalimin e publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.
Urdhri mban firmën e tre prokurorëve Doloreza Musabelliu, Altin Dumani dhe Behar Dibra. Ata nënvizojnë se duhet ruajtur sekreti hetimor duke kërkuar ndalimin e publikimit të deklarimeve të tyre dhe shpërndarjen e tyre përmes shtypit dhe informacionit masiv. Në rast të moszbatimit të këtij urdhri parashikohen dënime për përgjegjësi penale sipas nenit 295/a.
“Urdhërohet ruajtja e sekretit të deklarimeve të dhëna nga ana e Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani në kuadër të procedimit penal nr.75 të vitit 2022 në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë apo si person ndaj të cilit zhvillohen hetime deri në përfundim të hetimeve.
Ndalimin e publikimit qoftë edhe të pjesshëm të procesverbalit të deklarimeve të shtetasve Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime apo edhe në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndalimin e publikimit të përmbajtjes së këtyre akteve nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv. Mozbatimi i këtij urdhri sjell përgjegjësi penale sipas parashikimeve të nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5 të Kodit penal”, thuhet në urdhër.
Por çfarë parashikon ky nen
Sipas nenit të përcaktuar të përgjegjësisë penale, për shkelje të sekretit hetimor parashikohen masa nga gjobë deri në 5 vite burg. “Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”, përcaktohet në kodin penal.