Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për tre personat e arrestuar, të cilët dyshohet se janë autorët e grabitjes së filialit të BKT-së në Koplik.
Në burg gjykata ka lënë Bekim Gurra, Admir Shaba dhe Armir Shaba.
Panorama mëson se Armir Shaba dhe Admir Shaba kanë mohuar akuzat ndaj tyre ndërsa Bekim Gurra nuk ka folur gjate masës se sigurisë duke u përfaqësuar nga avokati i tij Ndue Pjetra.
ARRESTIMI I AUTOREVE
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.
Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.
Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Aktualisht është duke vijuar kontrolli nga polumbarët e RENEA-s, për të bërë të mundur gjetjen e tyre. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.
Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, konkretisht:
Në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.
Po në vijim të operacionit për kontrollin në në banesat e autorizuara nga Gjykata, rezultoi se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis.
Për këtë u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ramiz Nikdukaj, 64 vjeç, banues në Koplik, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi.
Shtetasi Ramiz Nikdukaj u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Kultivmimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.”
U arrestuan në flagrancë edhe shtetasit A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, pasi u kapën në flagrancë duke punuar në ambientin në të cilin kultivoheshin bimët narkotike, me anë të llambave.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Almir Nikdukaj (djali i Ramiz Nikdukaj), dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. N.(vajza e shtetasit Ramiz Nikdukaj).
Si dhe u proceduan në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, 2 elektricistë të zonës, shtetasit P. I. dhe G. B.