Dhoma e Avokatisë në Shqipëri ka marrë vendimin për të bojkotuar të gjitha proceset gjyqësore me përjashtim të atyre për masat e sigurimit nga data 14 deri ne datën 17 qershor.
Vendimi është marrë për shkak se të miratimit të hartës së re gjyqësore të cilën ata e kundërshtojnë.
Në deklaratën e tyre thuhet se ata kanë konstatuar se ky vendim është në shkelje të rëndë të drejtave dhe lirive themelore të individit të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.
“Me këtë vendim u njoftuan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjatë procesit të organizuar për diskutimin e draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi formalitetin dhe abuzivitetit në marrjen në konsideratë të grupeve të interesit, përfshirë Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, mori në shqyrtim vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqsor dt.10.06.22, me anën e të cilit është miratuar harta e re gjyqsore.
Komiteti Drejtues konstaton dhe i bën prezent gjithë opinionit publik se, vendimi për miratimin e hartës së re gjyqsore është në shkelje të rëndë dhe të të drejtave dhe lirive themelore të individit të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta. Ky vendim cënon rëndë aksesin në drejtesi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes si ne proceset penale, ashtu edhe në ato civile dhe administrative.
Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri duke kulmuar me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.
Me këtë vendim u njoftuan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjatë procesit të organizuar për diskutimin e draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi formalitetin dhe abuzivitetit në marrjen në konsideratë të grupeve të interesit, përfshirë Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë.
Nisur dhe bazuar në këtë situatë Dhoma e Avokatisë te Shqipërisë i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet Tij kërkojmë që të përcillet në qeveri, si institucioni vendimmarrës, bazuar në argumentet tona në interes të personave fizik dhe atyre juridik, të mos miratojë vendimin e paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqsor .
Ndodhur në këtë situatë Komiteti Drejtues në mbështetje të vendimit paraprak marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë si hap të parë vendosi:
Të bojkotoj të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshirë edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.
Për ekzektimin e këtij vendimi, ngarkohen organet drejtuese të Dhomës Qendrore dhe dhomave vendore.
Moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen me masa disiplinore.
Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë
Komiteti Drejtues
Kryetari
Prof Dr. Maksim HAXHIA